Rita Ora hap dyert e shtëpisë 200-vjeçare dhe fton të gjithë ata që duan të japin puthjen e parë
Kamerat e Architectural Digest shkuan në Londër, në shtëpinë 200-vjeçare të Rita Orës. Rita hapi dyert dhe rrëfeu me shumë sens humori historinë e shtëpisë, që e kishte me merak.
Shtëpia daton që nga 1800-ta dhe në të ka jetuar ilustruesi i librave klasikë për fëmijë si “Alice në Wonderland”, “Bukuroshja e fjetur”.
“Ilustruesi Arthur Rackham është artisti im i preferuar dhe nuk kam ndryshuar shumë gjëra nga shtëpia. Do të bëj dhe unë foto këtu dhe pas shumë vitesh kur dikush ta shikojë shtëpinë, do të thotë: Ua këtu paska jetuar kjo vajza e famshme”, thotë Rita.
Dyert, oxhakët, dritaret dhe ndarjen mes kuzhinës dhe sallonit, nuk i ka prekur.
Rita ka ndryshuar vetëm kuzhinën, që thotë se ishte shumë e vjetër. Kurse studion e Arthur e ka bërë dhomë gjumi bashkë me një tualet të pandarë me derë brenda.
Një nga arsyet pse Rita e bleu shtëpinë ishte historia. “Shtëpia ka energji të mirë”, thotë ajo.
Kurse arsyeja tjetër ishte piktura e një ore në mur. Rita sqaron ndjekësit e huaj se mbiemri i saj është “Time”, “Ora”.
“Sa hyra dhe pashë këtë pikturë këtu që vetë Arthur e ka bërë, thashë: Kjo shtëpi është e shkruar që të jetë e imja”.
“E kam ndarë gjithë jetën dhomën me motrën. Dhe t`ju tregoj sot këtë shtëpi, me këtë pamje nga kopshti, është fantastike”, tha Rita që kopshtin e ka të preferuarin e saj.
“Jam ulur për orë të tëra me kopshtari për të diskutuar se çfarë lulesh do kishim e çfarë jo. Jam shumë krenare për çfarë kemi arritur. Kjo është parajsa ime sekrete. Nëse dikush dëshiron të japë puthjen e parë, të më bëjë një telefonatë e t`i ul këtu. Është shumë romantik”, tha Rita.
Video