Cili ishte problemi më i madh i fëmijëve në vitin 2025, zbuluar nga terapistët

Fëmijët po ndihen gjithnjë e më të vetmuar dhe të padëgjuar, sipas terapistëve, të cilët thonë se ky ishte një nga problemet kryesore që fëmijët shprehën në terapi gjatë vitit 2025.
Psikologia Mandi Simons thekson se gjithnjë e më shumë fëmijë dhe të rinj përshkruajnë “një ndjenjë vetmie”, por kjo nuk lidhet gjithmonë me të qenit vetëm.
“Shumë prej tyre janë të rrethuar nga njerëz, por prapë ndihen të padëgjuar dhe të keqkuptuar,” tha ajo.
Edhe terapistja Debbie Keenan vëren një rritje të rasteve ku fëmijët jo vetëm ndihen të izoluar, por edhe të injoruar.
Një në tre të rinj thonë se nuk ndihen pjesë e komunitetit të tyre, ndërsa të rinjtë në Britani raportojnë më shumë ndjenja vetmie se çdo grupmoshë tjetër. Rreth 70% e personave nga 18 deri në 24 vjeç thonë se ndihen të vetmuar të paktën herë pas here.
Çfarë po e shkakton këtë vetmi?
Sipas ekspertëve, kjo rrallë vjen nga mungesa e kujdesit nga prindërit. Më shpesh lidhet me jetën moderne familjare, ku prindërit janë të zënë me shumë angazhime dhe bisedat me fëmijët shpesh janë të shpejta ose kalojnë menjëherë në “zgjidhje”, pa i dëgjuar vërtet.
Rrjetet sociale gjithashtu ndikojnë, duke krijuar presion dhe krahasime, ndërsa reduktojnë lidhjet e vërteta mes njerëzve.
Një tjetër faktor është edhe mungesa e hapësirave sociale. Mes viteve 2010 dhe 2023, mbi 1200 qendra rinore janë mbyllur në Angli dhe Uells, ndërsa fondet për shërbimet rinore janë ulur ndjeshëm. Paralelisht, problemet e shëndetit mendor te të rinjtë janë rritur nga 19% në 26% në një dekadë.
Studimet tregojnë se fëmijët sot kanë shumë më pak liri për të luajtur jashtë apo për t’u mbledhur me shokët krahasuar me brezat e mëparshëm.
“Lidhjet e rregullta dhe kuptimplota janë çelësi për të ulur izolimin. Pa to, fëmijët humbasin bazat e marrëdhënieve, besimit dhe ndjenjës së përkatësisë,” shpjegon Keenan.
Kur të rriturit janë të zënë apo të shpërqendruar, fëmijët mund të ndihen të anashkaluar. Me kalimin e kohës, kjo krijon ndjesinë se “zëri im nuk ka rëndësi”, duke i bërë ata më të heshtur dhe të tërhequr.
Si t’i ndihmojmë fëmijët që ndihen të vetmuar
Ekspertët këshillojnë që prindërit të mos fokusohen vetëm te problemi, por të vëzhgojnë sjelljen: a janë bërë më të mbyllur? A kalojnë më shumë kohë vetëm?
Është e rëndësishme të krijohet kohë për të qenë emocionalisht të pranishëm. Lini mënjanë shpërqendrimet dhe jepini fëmijës vëmendjen e plotë. Krijoni momente të veçanta cilësore së bashku.
Po aq e rëndësishme është edhe dëgjimi aktiv, pa ndërprerje, duke i kushtuar vëmendje të plotë dhe duke reflektuar atë që fëmija thotë.
“Ajo që fëmijët kanë më shumë nevojë është të ndihen vërtet të dëgjuar,” thekson Simons. Kjo do të thotë të ngadalësojmë bisedat, të tregojmë interes të sinqertë dhe të pranojmë ndjenjat e tyre para se të japim zgjidhje.
Edhe momentet e thjeshta familjare, si lojërat bashkë apo një darkë pa telefona, mund të ndihmojnë që fëmijët të ndihen të vlerësuar dhe të lidhur.
Në vend që ta shohin si kritikë, prindërit duhet ta shohin këtë si një mundësi për t’u afruar më shumë me fëmijët. Ndryshime të vogla në mënyrën si dëgjojmë mund të bëjnë diferencë të madhe.
Gjithashtu rekomandohet organizimi i aktiviteteve sociale për fëmijët dhe mbështetja e tyre për të krijuar lidhje të reja, për shembull përmes aktiviteteve jashtëshkollore.
Në fund, ekspertët japin edhe një mesazh për prindërit: mos jini të ashpër me veten. Bota po ndryshon me shpejtësi dhe prindërimi nuk është i lehtë. Me lidhje, komunikim, mirëkuptim dhe dëgjim të vërtetë, fëmijët mund të fitojnë më shumë vetëbesim, të ndihen më pak të vetmuar dhe të besojnë se zëri i tyre ka rëndësi.