Dhunë ndaj nxënësve në Kamëz, Kumbaro: Mësuesja u pushua nga puna

Një rast i rëndë dhune ndaj nxënësve është denoncuar në shkollën 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë” në Kamëz, ku disa prindër kanë drejtuar ankesë pranë emisionit investigativ “Stop” për sjelljen e mësueses kujdestare Mine Hasani.
Sipas pamjeve të siguruara me kamera të fshehtë, mësuesja shfaqet duke goditur nxënësit dhe duke përdorur gjuhë fyese, kërcënuese dhe denigruese ndaj tyre. Nga monitorimi mbi një javë rezulton se fyerje të rënda janë përdorur në mënyrë të përsëritur ndaj fëmijëve.
Pas publikimit të rastit ka reaguar ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila e cilësoi ngjarjen flagrante dhe të papranueshme.
"Një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, mbi rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit, si një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit. Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë çështje po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive.
Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë.
Respekt dhe mbështetje për ta”, thuhet në reagimin e saj.