Sociale

Dritarja që nuk vrau, por shpëtoi 12-vjeçaren nga Fieri

Dritarja që nuk vrau, por shpëtoi 12-vjeçaren nga Fieri

Në katër të mëngjesit, ndërsa një fshat i Fierit flinte, një vajzë 12-vjeçare hapi dritaren e dhomës dhe vendosi të mos qëndronte më në errësirë. Nuk kishte thënë asnjë fjalë në shtëpi. As nënës, as motrës, as fqinjës që i kërkoi ndihmë. Por e dinte që ajo që po ndodhte në shtëpinë e saj, që babai i shkonte në shtrat e prekte dhe një Zot e di si ai kënaqej nga kjo gjë, nuk ishte diçka normale. Nuk ishte e drejtë. Dhe më e rëndësishmja: nuk ishte faji i saj.

Nuk ra në grackën e heshtjes ku shpesh bien viktimat e abuzimit seksual, as në përballjen e dhimbshme me një nënë që ndoshta nuk do ta besonte. Zgjodhi dritaren dhe shkoi në polici. Aty foli. Aty i dëgjoi edhe nëna për herë të parë të gjitha.

"Nuk e di çfarë ka bërë kur kam qenë në gjumë. Nuk kam parë gjë me sytë e mi", thotë ende sot nëna. Një nënë, me siguri e tronditur. E tmerruar për atë që ka ndodhur dhe në frikë për atë që do të ndodhë në vazhdim me të dhe 7 fëmijët e saj, kur i vetmi që sillte të ardhura në shtëpi ishte kryefamiljari abuzues, tani në pranga.

Po fatkeqësisht mjekët nuk mohuan gjë. As analizat. As vajza. As ai vetë. Babai e pranoi, megjithëse u përpoq ta minimizonte me një fjali që thjesht e rëndon më shumë: “Ka ndodhur vetëm një herë.”

Kjo histori nuk është vetëm ajo e një vajze të mitur që po jetonte ferrin në vendin që duhej të ishte më i sigurti për të. Është për dritaren. Është për momentin kur një vajzë vetëm 12 vjeç e këtij brezi të ri që shpesh e kritikojmë për ato huqet dhe hobit e moshës, zgjodhi të besojë instinktin e saj dhe të kërkojë ndihmë, kur shumë të rritur do kishin zgjedhur heshtjen.

Babai, nëse e meriton ta quajmë të tillë, një burrë me histori të vështirë jete, me prindër të divorcuar që e braktisën që foshnjë, i rritur nga gjyshja, mund të kishte qenë ndryshe. Mund të kishte qenë si shumica e baballarëve që e përmbysin edhe botën për vajzat e tyre. Por ky nuk është më rasti për të kërkuar justifikime te fëmijëria e tij. Ky është rasti për të mbrojtur fëmijërinë e saj.

Ndër të gjitha lajmet e këqija që sjell kjo histori, një është i mirë, shumë i mirë. Ajo vajzë e vogël e dinte që kjo nuk ishte dashuri dhe nuk priti të rritej që të kërkonte ndihmë. Ajo ishte tashmë e rritur, mendërisht po!