Sociale

Gjinia gjithëpërfshirëse, 'prindi 1', 'prindi 2': ku qëndron ligji dhe ku nis keqkuptimi

Gjinia gjithëpërfshirëse, 'prindi 1', 'prindi

Në Shqipëri ka nisur një debat i gjerë pas dorëzimit në Parlament të projektligjit për “Barazinë Gjinore”, i cili ndryshon mënyrën se si përcaktohet gjinia në ligj. Deri më tani, ligji njihte vetëm dy gjini: burrin dhe gruan. Drafti i ri, megjithatë, prezanton një përkufizim të ri: termi “gjini” bëhet “gjini gjithëpërfshirëse”, duke synuar të përfshijë identitete të tjera përtej atyre klasike.

Fillimisht, drafti i projektligjit që u hodh për konsultim publik në mars e kishte Nenin 4 shumë të qartë: “Gra dhe burra”, duke përfshirë vajzat dhe djemtë. Por gjatë procesit, Aleanca LGBTI kërkoi që përkufizimi të zgjerohej përtej binarit burrë-grua. Kjo kërkesë u pranua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke çuar në formulimin e ri:

“Gjini”, sipas këtij ligji, ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.

Në debatet televizive shpesh është thënë se kjo do të ndikojë mbi familjen dhe mënyrën si konceptohen rolet, baba e nënë, por lidhur me këtë, Daniela Kalaja ka sqaruar: Draft ligji nuk cënon familjen, as seksin biologjik. Ka rregullator ligjor të qartë për funksionin dhe martesën në Shqipëri. I vetmi ndryshim që përfshin ligji është termi gjini gjithëpërfshirëse në vend të fjalës gjini, për të qartësuar njëherë e mirë që seksi biologjik (i lindur, natyror, universal) ndryshon nga identiteti gjinor (i mësuar, socio kulturor dhe i ndryshueshëm në kohë e hapësirë). Kur flitet për identitet gjinor aty ka dallime, racore, klasore, gjeografike, ekonomike, sociale, bindje politike, fetare, orientim seksual e plot të tjera. Këtë kuptim ka fjala gjini gjithëpërfshirëse. Qëllimi është të garantohet që askush të mos diskriminohet por secili/secila të ketë mundësi të barabarta e përfshirje sociale të njëjtë. Ne që edukojmë brezat në këtë fushë na takon ta qartësojmë saktë e drejtë këtë keqkuptim me dashje dhe dezinformim që mbjell vetëm gjuhë urrejtjeje dhe agresivitet.

Një nga risitë e projektligjit është përcaktimi i përfaqësimit të detyrueshëm gjinor në institucionet publike dhe private, nga 30% deri në 50%. Kjo vlen për: Pushtetin legjislativ, Pushtetin ekzekutiv, Pushtetin gjyqësor, Administratën publike qendrore dhe vendore, Sektorët privatë me ndikim.

Ndonëse projektligji për Barazinë Gjinore shënon një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së komuniteteve gjinore jo-binare në kuadrin ligjor shqiptar, në të njëjtën kohë, ngre pyetje serioze për zbatimin praktik, sidomos në raport me kuotat e përfaqësimit dhe strukturat institucionale ekzistuese. Pyetja që mund të ndezë debatin është: Si do të funksionojë kuota gjinore kur gjinive nuk u dihet më numri?

Në një sistem me vetëm dy gjini (burra dhe gra), ndarja është e qartë: p.sh., 30% gra, 70% burra ose 50%-50%. Por nëse ligji njeh më shumë se dy gjini, atëherë ndarja kuotore bëhet matematikisht e pamundur, nëse secilës duhet t’i garantohet një minimum përfaqësimi (p.sh., 30%).

Nëse miratohet në këtë formë, Shqipëria do të bëhet një nga vendet e para në rajon që njeh ligjërisht identitete gjinore përtej burrit dhe gruas, duke hapur rrugën për debat të gjerë shoqëror dhe institucional mbi identitetin, barazinë dhe përfaqësimin real.