Majlinda Bregu: Tirania e dhunës ndaj grave dhe fushëbeteja e online-it

Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, Majlinda Bregu e fokuson vëmendjen në një tjetër lloj dhune ndaj grave, jo vetëm në atë fizike, por në dhunën online. Zhvillimi i botës digjitale ka sjellë me vete edhe anën e errët të krijimit të një terreni të ri për të ushtruar dhunë ndaj vajzave dhe grave.
Pikërisht për këtë çështje ngre zërin Majlinda Bregu, e cila rikujton rëndësinë e rishikimit të ligjit "Për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje", i cili njeh gjuhën e urrejtjes, kërcënimin, shpërndarjen e të dhënave personale, përndjekjen digjitale, si forma të dënueshme të dhunës të cilën e shpërndan teknologjia virale.
Bregu e cilëson këtë ligj dhe miratimin e tij si një armë juridike në dorën e grave të dhunuara.
Reagimi i plotë:
Nga Majlinda Bregu: Asnjë formë dhunë nuk ka treguar aq qëndrueshmëri dhe aftësi për t'u rikrijuar sa dhuna ndaj grave. Aio nuk është fashitur, përkundrazi, ka gjetur terrene të reja, tani edhe në hapësirën digjitale
Këtë vit, fushata globale e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave, i kushtohet dhunës digjitale. Dhe me të drejtë. Sepse fronti i ri i dhunës nuk është më vetëm pragu i derës, por ekrani. Jo vetëm dhuna e dorës, por dhuna e tastierës. Jo vetëm kërcënimi fizik, por linçimi publik.
Si "veterane",( pa patetizëm), e betejës për të njohur efektet e dhunës online ndaj grave dhe vajzave, pa pretenduar se konkuroj me ndokënd për nivelin toksik të sulmeve online, sot po e nis ditën me të njëjtin mendim si gjithë bota: Dhuna online është krim !
Për më shumë se dhjetë vite kam kërkuar që ky realitet të njihet qartë në ligj. Atëherë, pak e besonin se dhuna digjitale ishte po aq e vërtetë, po aq e rrezikshme, po aq shkatërruese sa dhuna fizike. Sot, më në fund, po diskutohet ligji i ri "Për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje", i cili e njeh gjuhën e urrejtjes, kërcënimin, përshkrimin degradues, fyes të personit, shpërndarjen e të dhënave personale, përndjekja digjitale etj, si forma të dënueshme të dhunës të cilën e shpërndan teknologjia virale, duke i dhënë grave e vajzave një armë juridike që deri dje mungonte.
Në praktikë e deri në zbatim të ligiit, linjat nuk do të jenë kaq të qarta. As do të zhdukë ligji dhe zbatimi i tij, dhunën digjitale, por mund të jetë një instrument i ri për drejtësinë dhe një shans i ri për çdo grua e vajzë që vendos të padisë edhe për dhunën online, -terrenin e menduar dhe të përdorur lehtësisht si armë e shkatërrimit në masë.
Por si gjithë bota as shumë e drejtë as shumë e përkorë, edhe ne prej sot mund të flasim më shumë për mikrokozmosin tonë të dhunës .
Për dritaret në të gjitha cepat e vendit, që mbyllen më shpejt se nata, për gra që janë përballur me dhunën dhe kanë parë vetëm murin e ftohtë të procedurave, për zërat që nuk janë dëgjuar asnjëherë dhe ku ndihma ka mbërritur kur ishte tepër vonë. Por mbi të gjitha, mund të zhdehemi naa dakordësia misogjene se portretizimi i grave e vajzave si "k...., të lehta, target i mrekullueshëm për klikim fitime"- është e lejueshme, e pranueshme, e mrekullueshme, perlë gjetje brilante" e kështu me radhë. Jo! Eshtë thjesht e dënueshme.
Sepse dhuna digjitale nuk fshihet pas ekranit; ajo godet jetën reale.
Çdo popull që ka dashur të quhet i denjë ka ditur të mbrojë më të pambrojturat e veta. Histori të tëra kanë rënë për shkak të indiferencës. Perandori janë plandosur sepse nuk kanë ditur të mbrojnë njerëzit e tyre. Ne nuk jemi as më të mëdhenj e as më të paprekshëm se ata.
Ndaj më mirë sot, të jemi të paktën dakord si gjithë bota: Dhuna digjitale është krim!