Sociale

Martini u vra sërish

Martini u vra sërish

Sot në mediat shqiptare u shpërnda thuajse ngado një video e tmerrshme: momenti kur një 16-vjeçar, Martin Cani vrapon me dorën në zemër pasi është goditur me thikë nga bashkëmoshatari i tij. Ngjarja ndodhi nëntorin e kaluar. Pamjet janë tronditëse. Ato shoqërohen me titra: "Martini që mban dorën në zemër".

Padiskutim, është mirë që video ekziston. Është provë. Është dëshmi që hedh poshtë çdo përpjekje për të shmangur përgjegjësinë. Është fakt që ndihmon drejtësinë të bëjë detyrën.

Por pyetja që bëhet sot është: pse duhej të shpërndahej video?

Çfarë vlere ka për publikun të shohë një djalë duke vdekur në rrugë? Cili është qëllimi i transmetimit të këtyre pamjeve; drejtësia apo klikimet? Informimi apo shfrytëzimi i dhimbjes?

Në Austri, vetëm pak orë më parë ndodhi një masakër në një shkollë. Viktimat ishin fëmijë, adoleshentë. Askush nuk guxoi të publikojë video nga brenda shkollës apo jashtë saj. Jo sepse nuk kishin kamera. Kishin. Por sepse kishin edhe kufi. Kishin edhe etikë. Kishin edhe mëshirë për ata që janë gjallë dhe për ata që nuk janë më.

Njerëzit nuk kanë pse të vriten për herë të dytë. Familjarët e Martin Canit nuk kanë pse të shohin momentin e fundit të jetës së djalit të kthehet në lajm. Nuk kanë pse ta përballojnë këtë horror si spektakël publik. Nuk kanë pse ta dëgjojnë zemrën e tij duke pushuar...me titra.