Sociale

Matura Shtetërore 2026 nis pa rrjedhje tezash. Provimi i parë kalon pa incidente

Matura Shtetërore 2026 nis pa rrjedhje tezash. Provimi i parë kalon pa

Provimi i parë i Maturës Shtetërore 2026, ai i Gjuhës së Huaj, është zhvilluar sot në të gjithë vendin në kushte normale dhe pa asnjë incident të raportuar.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur procesi shpesh është shoqëruar me denoncime dhe publikime të parakohshme të tezave në rrjetet sociale, këtë vit nuk është raportuar asnjë rast i rrjedhjes së testit. Një zhvillim që shihet si hap pozitiv në drejtim të forcimit të sigurisë dhe integritetit të provimeve kombëtare.

Autoritetet arsimore kishin paralajmëruar më herët masa të rrepta kontrolli, rritje të monitorimit dhe zbatim me tolerancë zero të rregullores së Maturës Shtetërore 2026. Sipas njoftimeve zyrtare, procesi është zhvilluar në dhjetëra qendra provimi në mbarë vendin, nën mbikëqyrjen e strukturave përgjegjëse.

Për herë të parë nën drejtimin e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, provimi i Maturës ka kaluar pa u shoqëruar me lajme për publikimin e tezës, një fenomen që në vite ka ngritur shqetësime serioze mbi besueshmërinë e procesit.

Sipas kalendarit, Matura Shtetërore 2026 vijon më 9 qershor me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, më 16 qershor me Matematikën dhe më 23 qershor me provimin me zgjedhje.