Maturantët nisin sot hapin e parë drejt provimeve të Maturës Shtetërore

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, ka njoftuar se prej ditës së sotme ka nisur zyrtarisht procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit maturantët përzgjedhin lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ministrja theksoi se kjo zgjedhje ka rëndësi të madhe, pasi ndikon drejtpërdrejt në drejtimin akademik dhe rrugëtimin e mëtejshëm universitar të çdo nxënësi.
Ministrja u bëri thirrje maturantëve që ta marrin këtë vendim me maturi dhe jo me nxitim.
“Mendojeni me kujdes këtë hap të rëndësishëm, këshillohuni me mësuesit dhe prindërit tuaj, sepse zgjedhja që bëni sot do t’ju orientojë drejt fazës së ardhshme të studimeve. Për ata që nuk janë maturantë të këtij viti, por të viteve të kaluara, ekziston formulari A1Z, i njohur tashmë për aplikuesit. Duhet kujtuar se për këtë formular janë vetëm dy ditë në dispozicion. Kemi informuar të gjithë sipas drejtorive rajonale: më 2, 3 dhe 4 shkurt në Tiranë, Durrës dhe Fier; më 5, 6 dhe 9 shkurt në Korçë dhe Lezhë. Në këto data, stafet arsimore do të jenë të gatshme për t’ju ndihmuar dhe orientuar në çdo hap,” tha Kumbaro.