Sociale

Mesazhi i Arqipeshkvit para Pashkëve: Shqipëria ka nevojë për njerëz që e duan jo vetëm me fjalë

Mesazhi i Arqipeshkvit para Pashkëve: Shqipëria ka nevojë

Në prag të Pashkës katolike, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Arjan Dodaj, ka përcjellë një mesazh domethënës për besimtarët, duke i ftuar të reflektojnë dhe të mos humbasin besimin përballë sfidave.

Nga Katedralja e “Shën Palit” në kryeqytet, ai theksoi se ndryshimi nuk duhet pritur nga jashtë, por nis nga vetë secili prej nesh. Sipas tij, shpresa dhe besimi janë çelësi për të përballuar çdo vështirësi.

“Ndryshimi është i mundur dhe fillon nga zemra e njeriut”, u shpreh Dodaj, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë personale.

Në fjalën e tij, ai ndaloi edhe te plagët që prekin shoqërinë shqiptare, si emigracioni dhe indiferenca, duke theksuar se e ardhmja e vendit nuk mund të mbështetet te të tjerët. Shqipëria, sipas tij, duhet të ndërtohet nga vetë shqiptarët, me më shumë përkushtim dhe dashuri për njëri-tjetrin.

Apeli i tij u drejtua edhe ndaj politikës dhe institucioneve, duke kërkuar më shumë ndershmëri dhe përgjegjësi në drejtimin e vendit. Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për njerëz të drejtë, që e duan vendin jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete dhe me shembull personal.

“Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm që e duan këtë tokë dhe popullin e saj jo me fjalë, por me jetë të jetuara këtu, ka nevojë për ndërgjegje reaguese që nuk pranojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe menjanimin si diçka normale.

Është ky një urim për të gjithë dhe akoma më shumë është për ata që mbajnë përgjegjësi politike, ekonomike dhe shoqërore që të shohin me largpamësi dhe përgjegjësi të ardhmen e vendit”, theksoi ai.