Mesazhi për Pashkën Ortodokse i Kryepeshkopit Joan: Paqen e vërtetë ta gjejmë brenda nesh

Me rastin e Pashkës Ortodokse, Kryepeshkopi Joan ka përcjellë një mesazh për besimtarët, duke ndalur vëmendjen te sfidat që po përjeton shoqëria sot.
Përmes një reagimi publik, ai thekson se koha në të cilën jetojmë po përballet me një “vdekje” të re, jo fizike, por shpirtërore.
Sipas tij, indiferenca, zemrat e ngurtësuara dhe largimi nga Zoti po krijojnë një boshllëk të thellë te njerëzit.
“Shoqëria sot nuk e ka harruar Zotin sepse i është ndaluar, por sepse ka zgjedhur ta injorojë. Njeriu rend pas pasurisë, sigurisë dhe statusit, por shpesh ndihet më i vetmuar dhe më i paplotësuar se kurrë”, është një nga mesazhet kryesore.
Kryepeshkopi kujton edhe fjalët e Krishtit: “Çfarë fiton njeriu nëse merr gjithë botën, por humb shpirtin e tij?”, duke theksuar se këto fjalë janë më aktuale se kurrë.
Në mesazhin e tij, ai ndalet te kuptimi i vërtetë i Ngjalljes, duke kujtuar se fjala e parë e Krishtit pas ringjalljes ishte “Paqe në ju”. Një paqe që nuk lidhet me rrethanat apo situatat, por me lidhjen e njeriut me Zotin.
Në një botë të trazuar nga luftërat, pasiguria dhe frika për të nesërmen, ai thekson se paqja e vërtetë nuk është mungesë problemesh, por prania e Zotit në mes të tyre.
Mesazhi i tij ndalet edhe te forca e faljes, duke kujtuar se Krishti në kryq nuk kërkoi hakmarrje, por falje. Sipas tij, pikërisht kjo është rruga për të thyer ciklin e urrejtjes dhe konfliktit.
Kryepeshkopi sjell në vëmendje edhe historinë e Kishës Ortodokse në Shqipëri, e cila, pavarësisht përndjekjeve dhe përpjekjeve për ta zhdukur besimin, arriti të ringjallet dhe të rikthehet më e fortë.
Në fund, ai bën thirrje që secili të fillojë nga vetja: të gjejë paqen në zemër dhe ta përhapë atë te të tjerët.
“Vetëm kur kemi paqe brenda nesh, mund të bëhemi paqebërës në një botë që ka nevojë më shumë se kurrë për dashuri, mirëkuptim dhe shpresë”, përmbyllet mesazhi i tij.