Sociale

Ndryshime në skemën e pensioneve. Këto janë kriteret e reja për vitin 2026

Ndryshime në skemën e pensioneve. Këto janë kriteret e reja

Me hyrjen e vitit 2026, skema e pensioneve hyn në një fazë të re zbatimi të reformës së nisur në vitin 2015, duke sjellë ndryshime të rëndësishme si në moshën e daljes në pension, ashtu edhe në vitet e kërkuara të vjetërsisë në punë.

Për gratë, mosha e daljes në pension këtë vit përcaktohet 62 vjeç, në kuadër të rritjes graduale që parashikon ligji. Sipas këtij mekanizmi, mosha rritet me dy muaj çdo vit, deri sa të arrijë në 63 vjeç në vitin 2032. Vetëm pas kësaj faze nis rritja e moshës edhe për burrat, me objektivin që për të dyja gjinitë të shkojë në 67 vjeç deri në vitin 2056.

Ndërkohë, ndryshimet prekin drejtpërdrejt edhe vjetërsinë në punë. Duke filluar nga 1 janari 2026, kërkesa për vite sigurimi rritet në 39 vjet, si për burrat ashtu edhe për gratë. Për krahasim, në fund të vitit 2014 mjaftonin 35 vite pune për të përfituar pension të plotë.

Sipas legjislacionit në fuqi, vjetërsia në punë është një element kyç në llogaritjen e pensionit të pleqërisë, pasi ndikon drejtpërdrejt në masën përfundimtare që përfiton çdo individ. Formula përllogaritëse bazohet në pensionin social bazë dhe vitet e sigurimit të realizuara gjatë jetës aktive të punës.

Në vitin 2026, mosha zyrtare e daljes në pension mbetet 65 vjeç për burrat dhe 62 vjeç për gratë, ndërsa rritja e vjetërsisë në punë shënon një nga ndryshimet më të ndjeshme për qytetarët që janë pranë moshës së pensionimit.