Sociale

Sot, provimi i parë i Maturës Shtetërore

Sot, provimi i parë i Maturës Shtetërore

Mijëra maturantë në të gjithë vendin ulen sot përballë provimit të parë të Maturës Shtetërore 2026, duke çelur zyrtarisht sezonin e testeve përmbyllëse të arsimit të mesëm.

Testimi i parë është ai i gjuhës së huaj dhe do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:30, ndërsa nxënësit duhet të paraqiten në shkollat ku janë caktuar që prej orës 08:30.

Ministria e Arsimit ka rikujtuar rregullat që duhet të respektohen gjatë procesit të provimit. Ndalohet përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër që mundëson komunikim elektronik ose përdorimin e inteligjencës artificiale.

Po ashtu, nuk lejohen kopjet, shkëmbimi i informacionit mes nxënësve apo përdorimi i materialeve të paautorizuara. Shkelja e këtyre rregullave mund të çojë në përjashtimin e menjëhershëm nga provimi.

Maturantët duhet të paraqiten të pajisur me një dokument identifikimi të vlefshëm, si kartë identiteti ose pasaportë, si dhe me mjetet e nevojshme për zhvillimin e testit.

Provimi i gjuhës së huaj shënon nisjen e një prej etapave më të rëndësishme për maturantët, nga rezultatet e së cilës varet edhe vijimi i studimeve të tyre në arsimin e lartë.