Berati vrapon me botën! Green Half Marathon thyen rekord pjesëmarrjeje

Berati u kthye këtë fundjavë në kryeqendrën e sportit dhe energjisë pozitive, me zhvillimin e edicionit të katërt të Green Half Marathon, një aktivitet që po kthehet në traditë dhe që çdo vit tërheq gjithnjë e më shumë pjesëmarrës nga e gjithë bota.

Mbi 800 vrapues nga më shumë se 50 vende garuan në distancat 10 dhe 21 kilometra, duke përshkuar rrugët karakteristike dhe panoramën unike të qytetit të një mbi një dritareve.

Aktiviteti, i organizuar nga Bashkia Berat, solli jo vetëm garë sportive, por edhe një atmosferë festive për qytetarët dhe vizitorët.

Në garën ndërkombëtare të 21 kilometrave për meshkuj triumfoi Raphael Garechu Karita, ndërsa në kategorinë e femrave fituese u shpall Valentine Jebet. Në distancën 10 kilometra për meshkuj fitoi Albert Kipkorir Tonui, ndërsa për femra Loise Wambui Kiarie.
Në kategoritë kombëtare, për 21 kilometra, vendin e parë për meshkuj e mori Zoi Dhimertika, ndërsa për femra Kristina Pura. Në kategorinë +65, në 10 kilometra për meshkuj u shpall fitues Elmi Gegaj, ndërsa në 21 kilometra Gazmend Shehu. Çmimi për vrapuesin më të ri iu dha Ibrahim Sulës, ndërsa ai për më të moshuarin shkoi për Sotir Qirjaqi.

Green Half Marathon po konsolidohet si një nga eventet më të rëndësishme sportive në vend, duke promovuar jo vetëm stilin e shëndetshëm të jetesës, por edhe turizmin dhe imazhin e Beratit në arenën ndërkombëtare.



