Carlo Ancelotti dënohet me një vit burg për evazion fiskal në Spanjë

Ish-trajneri i Real Madridit dhe aktualisht drejtues i ekipit kombëtar të Brazilit, Carlo Ancelotti, është dënuar nga një gjykatë spanjolle me një vit burg për mashtrim tatimor të kryer në vitin 2014. Përveç kësaj, ai është gjobitur me mbi 386 mijë euro që duhet t’ia paguajë autoriteteve tatimore.
Megjithatë, sipas legjislacionit spanjoll, dënimet me burg më të ulëta se dy vjet për vepra jo të dhunshme dhe pa precedentë penalë nuk zbatohen fizikisht, ndaj Ancelotti pritet të mos e vuajë këtë dënim në burg.
Gjykata e ka liruar atë nga akuza të ngjashme për vitin 2015, për shkak të mungesës së provave për rezidencën e tij në Spanjë në atë periudhë.
Për tre vitet e ardhshme, Ancelotti nuk do të mund të përfitojë ndihma publike apo përjashtime fiskale në Spanjë.
Në mbrojtje të tij, Ancelotti deklaroi se kishte vepruar bazuar në këshillat e Real Madridit dhe këshilltarëve të tij ligjorë, duke shtuar se borxhin e kishte shlyer që në dhjetor të vitit 2021.
Trajneri italian e ka drejtuar Real Madridin në dy periudha: 2013–2015 dhe 2021–2025, përpara se të merrte drejtimin e Brazilit me synimin për ta çuar drejt titullit të gjashtë botëror në verën e vitit 2026.