SPORT

FIFA gjobit FSHF-në për ndeshjen Shqipëri-Serbi

FIFA gjobit FSHF-në për ndeshjen Shqipëri-Serbi

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi që u zhvillua më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania”.

Sipas vendimit të FIFA-s, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe me detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të zhvillohet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun.

“Ky penalizim vjen si pasojë e sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë, përfshirë: këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimin e gjesteve dhe mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare”, njofton FSHF.

Federata e konsideron këtë vendim një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik, që dëmton jo vetëm institucionin, por mbi të gjitha Kombëtaren shqiptare.

Në reagimin e saj, FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve kuqezi të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.