Shqipëria nis me humbje kualifikueset e Botërorit, Anglia triumfon në “Wembley”

Në një mbrëmje të vështirë në Londër, Kombëtarja e Shqipërisë u mposht 2-0 nga Anglia në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Lewis-Skelly zhbllokoi rezultatin në minutën e 20-të, ndërsa kapiteni Harry Kane vulosi fitoren në të 77-ën.
Pavarësisht disavantazhit, kuqezinjtë patën disa mundësi shënimi, por nuk arritën të konkretizonin. Një moment pozitiv ishte rikthimi në fushë i Armando Brojës, i cili zëvendësoi Nedim Bajramin. Gjithashtu, Pajaziti dhe Hoxha u aktivizuan në pjesën e dytë në vend të Laçit dhe Asanit.
Në portë pati një ndryshim të detyruar, pasi Strakosha u dëmtua dhe u zëvendësua nga Kastrati.
Shqipëria do të kërkojë të reagojë të hënën (20:45) në “Air Albania”, ku përballet me Andorrën, në një ndeshje ku fitorja është detyrim.