Sylvinho pas shortit: Polonia është e fortë, por e njohim mirë

Kombëtarja shqiptare mësoi sot rivalin e saj në fazën play-off, pas hedhjes së shortit në selinë e UEFA-s në Zyrih. Shqipëria do të përballet në gjysmëfinale me Poloninë, ndërsa nëse kalon këtë pengesë, në finale e pret fituesi i çiftit Ukrainë–Suedi.
Trajneri Sylvinho, në një prononcim për fshf.org, komentoi përballjen e ardhshme duke theksuar se Polonia është një kundërshtar i fuqishëm, por i njohur për kuqezinjtë.
“Polonia? E kemi merituar plotësisht që jemi sërish në këtë fazë. Tani gjithçka vendoset në 90 minuta futboll, ku çdo gjë mund të ndodhë. Ne i njohim mirë ata, por edhe ata na njohin ne. Duhet të përgatitemi dhe të ecim përpara,” tha ai.
Sa i përket finales së mundshme, Sylvinho u shpreh se pavarësisht rivalit – Ukrainë ose Suedi – niveli është i lartë: “Janë ekipe të forta. Ukrainën e kemi ndeshur në Nations League, ndërsa me Suedinë kemi luajtur një miqësore. Të gjitha skuadrat në këtë fazë janë të forta dhe me lojtarë cilësorë.”