
Mënyra si do të ndiqet Kupa e Botës FIFA 2026 në Mbretërinë e Bashkuar pritet të marrë një kthesë të fortë drejt platformave digjitale.
Sipas The Times, transmetuesit tradicionalë BBC dhe ITV, që zotërojnë të drejtat televizive të turneut, kanë marrë dritën jeshile nga FIFA për të eksperimentuar me një format të ri: publikimin në YouTube të 10 minutave të para të çdo ndeshjeje, si dhe transmetimin e deri në pesë ndeshjeve të plota secili.
Ky është një hap i paprecedentë që synon të tërheqë audiencën e re, e cila gjithnjë e më shumë po e ndjek sportin përmes platformave online dhe jo vetëm në televizionin klasik. Megjithatë, përmbajtja në YouTube do të jetë e aksesueshme vetëm brenda Britanisë, përmes kufizimeve gjeografike, në mënyrë që të mos cënohen marrëveshjet me transmetues të tjerë ndërkombëtarë.
Në të njëjtën linjë, FIFA po e shikon YouTube si një nga kanalet kryesore për të rritur ndikimin e turneut përpara vitit 2026. Marrëveshja u jep mundësi partnerëve të publikojnë edhe përmbajtje shtesë si përmbledhje të zgjeruara, intervista dhe materiale “on demand”.
Paralelisht, është arritur edhe një marrëveshje me TikTok, por në një formë më të kufizuar, që lejon vetëm transmetime të pjesshme live të momenteve të veçanta nga ndeshjet.
Brenda vetë organizatave, si BBC ashtu edhe ITV po analizojnë se si ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë hapësirë të re. Nëse plani finalizohet, ato do të duhet të përzgjedhin ndeshjet që do të transmetohen të plota në YouTube dhe t’i paraqesin për miratim tek FIFA. Teorikisht, në listë mund të përfshihet edhe finalja.
Turneu i vitit 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja, do të ketë plot 104 ndeshje. Shpërndarja e tyre në tregun britanik tashmë është vendosur: ITV do të mbulojë 34 ndeshje të fazës së grupeve, përfshirë sfidën hapëse të Anglisë ndaj Kroacisë dhe ndeshjen e tretë ndaj Panamasë.
Ndërkohë, BBC do të transmetojë 38 ndeshje të tjera të grupeve, mes tyre përballjet Angli–Ganë dhe Skoci–Brazil. BBC do të ketë gjithashtu përzgjedhjen e parë për fazat e 1/32 dhe 1/16, ndërsa ITV do të zgjedhë e para nga çerekfinalet e në vazhdim.
Finalja e madhe e 19 korrikut 2026 do të transmetohet njëkohësisht nga të dy rrjetet, duke garantuar audiencë maksimale për eventin më të madh të futbollit botëror.