A mund të ngadalësojë kafeja plakjen? Ja çfarë thotë shkenca

Një studim i fundit ka sjellë lajm të mirë për adhuruesit e kafesë: pirja e saj mund të lidhet me një plakje më të shëndetshme, sidomos tek gratë.
Sipas hulumtimeve të prezantuara në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Ushqimin, gratë që konsumonin rreth tre filxhanë të vegjël kafeje në ditë gjatë moshës së mesme kishin më shumë gjasa të qëndronin aktive dhe pa sëmundje kronike apo dëmtime mendore në pleqëri. Kjo mbështet idenë se zakonet e vogla dhe të qëndrueshme mund të kenë ndikim afatgjatë në shëndet.
Por pse ka kafeja këtë efekt?
Kafeja përmban përbërës me veti anti-inflamatore dhe antioksiduese, si acidi klorogjenik, i cili ndihmon metabolizmin dhe rregullimin e insulinës. Kafeina, nga ana tjetër, përmirëson përqendrimin dhe redukton ndjenjën e lodhjes.
Sipas studimeve, edhe koha kur konsumohet kafeja ka rëndësi. Pirja e saj në mëngjes lidhet me përfitime më të mëdha për shëndetin, pasi nuk prish ritmin biologjik apo gjumin. Megjithatë, shkencëtarët pranojnë se faktorë të tjerë si stili i jetesës mund të ndikojnë në këto rezultate.
Nuk është e gjitha pozitive
Megjithëse kafeja mund të jetë e dobishme për shumicën, nuk është e përshtatshme për të gjithë. Personat me tension të lartë, probleme me gjumin apo gratë shtatzëna këshillohen ta kufizojnë konsumimin. Po ashtu, kafeja e pafiltruar, si ajo turke apo ekspres, mund të rrisë kolesterolin për shkak të përmbajtjes së disa substancave specifike.
Ekspertët rekomandojnë të konsumohet 2 deri në 3 filxhanë në ditë, në mënyrë të moderuar dhe pa shumë sheqer apo qumësht.
Nëse tashmë pini kafe, mund ta shijoni me më shumë qetësi, pasi jo vetëm që nuk është e dëmshme, por mund të jetë edhe e dobishme. Por nëse nuk pini, shkenca nuk sugjeron ta nisni thjesht për arsye shëndetësore.
Kafeja mund të ndihmojë, por nuk zëvendëson një dietë të shëndetshme dhe aktivitetin fizik të rregullt.