Dorothy Dandridge, fati tragjik i aktores së parë me ngjyrë që shkeli në Oscar

Nata e Oscar është ngjarja më e rëndësishme kinematografike që nga viti 1929. Që atëherë, kushdo që synon apo bëhet aktor, e ka ëndërruar të ngrejë lart qoftë edhe njëherë statujën e artë. Dorothy Dandridge, e nominuar si Aktorja më e Mirë për rolin protagonist në Carmen Jones, gjithashtu e dëshironte këtë gjë.

Atë mbrëmje marsi, në 1955-ën, u shfaq në Teatrin Century në Nju Jork me motrën e saj Vivian. E veshur me një fustan elegant të verdhë mëndafshi, ajo doli nga limuzina dhe u përpoq të qëndronte e qetë. Mes shkrepjeve të aparatëve dhe britmave të gazetarëve, ajo dukej e lumtur, por ata që e njihnin mirë e dinin se sa e frikësuar ishte. Biografia e saj, e shkruar nga Deann Herringshaë e tregon këtë.
Ajo ishte nervoze sepse nuk kishte ndodhur kurrë më parë që një grua afro-amerikane të nominohej për një çmim kaq të lakmuar. Ajo e dinte se në shtëpi, para televizorëve, miliona njerëz do ta shihnin atë si një simbol të shpresës. Ndoshta ishin vajza si ajo, të cilat besonin se ishte e pamundur të dilnin në Hollivud, në një botë të dominuar nga burra të bardhë.

Ajo e kishte arritur. Me suksesin e filmit ishte tashmë një yll. E bukur, e rafinuar, e hijshme dhe e talentuar, kishte gjithçka që duhej për të konkurruar me diva si Elizabeth Taylor dhe Marilyn Monroe.

Dorothy Dandridge ishte në të njëjtin nivel me katër të nominuarat e tjera për Oscar, Judy Garland, Audrey Hepburn, Grace Kelly dhe Jane Ëyman. Megjithatë, ajo kishte dyshimet e saj se juria e Akademisë nuk do të guxonte vërtet aq shumë dhe të shpallte fituese atë, një vajzë me ngjyrë. Shpresonte të paktën që të fitonte shoqja e saj Judy.

Përfundimisht, kupën e mori Grace Kelly. Pasi ceremonia mbaroi, ajo nxitoi drejt e në dhomën e saj, pa shkuan në festën pas ceremonisë. Donte vetëm një vend të qetë për të pushuar.
Gjithsesi nuk i humbi shpresat, ajo ndjeu se një ditë do ta fitonte Oscarin, por jeta i kishte rezervuar hidhërime të tjera.
Jeta e saj
Dorothy Jean Dandridge ka lindur më 9 nëntor (si sot) në 1922-shin, në Cleveland, Ohio. Prindërit iu ndanë pak para lindjes së saj. Nëna, tashmë e detyruar të braktiste idenë e një karriere në skenë, u fokusua tek Dorothy dhe vajza tjetër Vivian. Meqë ishte shumë e dhënë pas artit, krijoi një grup kërcimi për dy vajzat e saj. Kështu lindi dyshja e “Ëonder Children”. Kur arritën të shkelnin në Hollivud, nëna ia ndryshoi emrin grupit duke e quajtur “Dandridge Sisters” dhe Etta Jones, një shoqe shkolle e dy motrave, iu bashkua grupit.

Motrat Dandridge vazhduan të performojnë me sukses për disa vite në klubet më të rëndësishme të natës në vend. Në sytë e kineastëve, Dorothy ra në vitin 1940, kur asaj iu ofrua roli i një vrasëseje në filmin “Four Shall Die”. Fakti që ishte me ngjyrë, nuk e lejonte të merrte pjesë në role të tjera përveç atyre të stereotipizuar, roleve klasike që u jepeshin vajzave me ngjyrë.

Tërhoqi shumë më tepër vëmendje duke luajtur mbretëreshën Melmendi në filmin Tarzan.
Ndërkohë, Dorothy Dandridge u martua me balerinin Harold Nicholas në vitin 1942 dhe një vit më vonë lindi vajza e tyre e vetme, Harolyn Suzanne Nicholas. Për shkak të një pakujdesie gjatë lindjes, vogëlushja pati probleme të rënda me trurin që kërkonin kujdes të vazhdueshëm, gjatë gjithë jetës së saj. Dalëngadalë, marrëdhënia e çiftit u përkeqësua dhe në vitin 1948 Harold e braktisi familjen.
Diagnoza e fëmijës u përcaktua tre vjet pas lindja. Dorothy ishte konsultuar me shumë mjekë për të kuptuar pse vajza e saj qante shumë dhe deri atëherë askush nuk e kishte kuptuar se kishte një dëmtim të përhershëm të trurit. Nga ai moment, nuk kishte më lumturi për aktoren: filloi një udhëtim i gjatë vetë-shkatërrues.
Në vitin 1954 Dorothy u zgjodh nga regjisori Otto Preminger si protagoniste në muzikalin Carmen Jones, për të cilin u nominua për Oscar në vitin 1955. Në të njëjtën periudhë ajo filloi të shoqërohej me Premingerin, i cili ishte i martuar. Ata nuk dolën kurrë hapur për ta pranuar lidhjen e tyre edhe për shkak se çiftet ndërracore nuk pranoheshin lehtë nga publiku amerikan.

Pas nominimit të saj për Oscar, Dorothy Dandridge u bë një yll i vërtetë i Hollivudit, me role të reja dhe duke zënë kopertinat e revistave.
Asnjë nominim nuk e çoi drejt fitores dhe filloi gradualisht rënia e saj.
Në vitin 1959 ajo u rimartua me Jack Denison, por martesa ishte shumë e trazuar për shkak të dhunës që ai ushtronte ndaj saj. Pas divorcit në vitin 1962-shin, Dorothy e gjeti veten pa asnjë kacidhe pasi për shkak të disa njerëzve të cilëve u kishte besuar llogaritë e saj, i humbi të gjitha. U detyrua të shiste vilën ku jetonte dhe t'ia besonte vajzën një institucioni të shëndetit mendor.
E vetme dhe pa para, Dorothy gjeti ngushëllim tek alkooli. Në vitin 1963 ishte afër arritjes së rolit kryesor të Kleopatrës, por në fund u përzgjodh Elizabeth Taylor.
Në prag të një filmi të ri që do të xhironte, e që ndoshta do të rihapte dyert e karrierës së saj, Dorothy Dandridge u gjet e vdekur në shtëpinë e saj. Ishte 8 shtator i 1965-ës dhe ajo ishte vetëm 42 vjeçe. Disa muaj më vonë mjekët përcaktuan shkakun e vdekjes së saj nga një mbidozë me antidepresantë.
Një tjetër version, ai zyrtari fliste për një emboli të rrallë të shkaktuar nga një incident i vjetër në xhirime.
Figura e Dorothy Dandridge është risjellë vitet e fundit në vëmendje falë filmit Meet Dorothy Dandridge, të luajtur nga Halle Berry.
Kur kjo e fundit fitoi Oscarin për Aktoren më të Mirë për 'Monster's Ball - The Shadoë of Life', në vitin 2002, ia dedikoi çmimin Dorothy Dandridge dhe aktoreve të tjera afro-amerikane që vunë nga një gur për të shtruar rrugën kundër të gjitha pengesave dhe mosbesimit ndaj njerëzve me ngjyrë.