Stil jete

Konsumi i duhanit/ Studimi Italian: A minimizohet dëmi i shëndetit oral përmes produkteve alternative?

Konsumi i duhanit/ Studimi Italian: A minimizohet dëmi i shëndetit

Shëndeti oral mbetet një temë e neglizhuar kur diskutohet rreth pasojave të pirjes së duhanit. Sipas Themeluesit të Qendrës së Ekselencës për Përshpejtimin e Reduktimit të Dëmtimeve (CoEHAR) në Itali kjo ndodh për faktin se duhanpirja lidhet kryesisht me sëmundje të rënda si kanceri, të zemrës si dhe ato respiratore.

Për një kohë të gjatë, dentistët kanë qenë më pak të vetëdijshëm për dëmin që pirja e duhanit shkakton në shëndetin oral, veçanërisht në menaxhimin e dëmtimin e mishrave të dhëmbëve apo humbjen e dhëmbëve. Polosa thekson se për shkak të faktorëve të shumtë që ndikojnë në shëndetin oral, përfshirë dietën, praktikat e higjienës orale dhe predispozitat gjenetike, është e vështirë të veçohet pirja e duhanit si shkaku kryesor i dëmtimit të dhëmbëve.

“Historikisht, dentistët kanë hezituar të investojnë përpjekjet e tyre profesionale për të ndihmuar pacientët të lënë duhanin. Megjithatë, tani po rritet ndërgjegjësimi për përfitimet që lënia e duhanit ka në përmirësimin e shëndetit oral. Gjithnjë e më shumë dentistë po promovojnë strategji për lënien e duhanit dhe mbrojnë përdorimin e produkteve alternative të nikotinës pa katran.”- u shpreh Polosa.

Për të shqyrtuar ndryshimet në parametrat e shëndetit oral dhe estetikën dentare tek duhanpirësit që kalojnë në produkte alternative të nikotinës pa katran, CoEHAR nisi studimin SMILE në fillim të këtij viti. Ky studim i mbështetur nga Global Action to End Smoking, synon të matë reduktimin e rrezikut, diversifikimin e dëmit dhe ndërprerjen e duhanit, të kombinuara në një qasje të vetme. Kjo e bën studimin SMILE me vlerë të shtuar me provat e tjera, të cilat zakonisht fokusohen vetëm në ndërprerjen e duhanit.

Studimi ndërkombëtar përfshiu disa vende të botës disa të zhvilluara, disa ende në proces zhvillimi për të krahasuar dinamikën, por edhe për të matur efektshmërinë e produkteve alternative. Italia u zgjodh si vend koordinator në studim.

Polosa argumenton se studimi i THR-së në një kontekst ku dominon përdorimi i cigareve tradicionale mund të ofrojë njohuri të vlefshme për qëndrimet kulturore ndaj ndërprerjes së duhanit dhe sistemeve alternative të shpërndarjes së nikotinës.

Një aspekt interesant i studimit është fokus tek estetika. Sipas Polosa, njollat në dhëmbë dhe erërat e pakëndëshme të duhanit janë shqetësim për duhanpirësit e rinj, të cilët synojnë një buzëqeshje të bukur. Në epokën e mediave sociale, dëshira për një pamje tërheqëse është një motivues i fuqishëm. Por qasja ka ndryshuar dhe mesazhet negative mbi rrezikun e duhanit nuk janë të efektshme për të inkurajuar lënien e duhanit. Në vend të pamjeve dekurajuese që pasqyrojnë dëmet, audienca motivohet më teper nga efektet pozitive që sjell lënia e duhanit, si postime me njerëz të buzëqeshur dhe fytyra të lumtura.

Rezultatet e studimit priten në vitin 2025, me përmirësime në shëndetin oral dhe ngjyrën e dhëmbëve të duhanpirësve që kalojnë në produkte alternative të nikotinës pa katran.

“Të gjithë duan të kenë dhëmbë të shëndetshëm dhe buzëqeshje rrezëllitëse, pasi ndihmon në kontaktet ndërpersonale dhe rrit vlerën në tregun e punës. Dëshira për një pamje tërheqëse, duke përfshirë një buzëqeshje të ndritshme, është shpesh një motivues i fuqishëm, veçanërisht për ata që janë shumë të përfshirë në platformat e rrjeteve sociale.‘‘ – thotë Polosa.