Zbulohen detaje tronditëse nga krimi në Fier! Anesti Rama dhunohej sistematikisht nga vajza dhe bashkëshortja

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Fierin, pas arrestimit të 26-vjeçares Emanilda Rama për vrasjen e babait të saj, Anesti Rama. Hetimet zbulojnë një histori të errët dhune dhe abuzimi brenda familjes, që kishte vite që zhvillohej në heshtje.
Sipas Policisë, vajza ka përdorur një tel për të mbytur të atin, ndërsa bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama, jo vetëm që kishte dijeni për gjithçka, por dyshohet se ndihmoi vajzën pas krimit duke u përpjekur të fshihnin gjurmët dhe ta paraqisnin ngjarjen si aksidentale. Ajo u arrestua një ditë më vonë për "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
Anesti Rama, 56 vjeç, ishte punëtor në një fermë blegtorale në zonë dhe sipas dëshmive, shpesh shfaqej në punë me shenja dhune në fytyrë. Ai justifikohej gjithmonë me “incidentet e punës”, duke mos zbuluar asnjëherë të vërtetën. Burime nga hetimi tregojnë se ai ishte i izoluar dhe jetonte prej kohësh në një dhomë jashtë shtëpisë, pasi ishte përjashtuar nga bashkëshortja dhe vajza.
Nëna dhe vajza akuzohen për bashkëpunim në vrasje dhe përpjekje për të manipuluar vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve, pas krimit, ato kanë pastruar trupin e pajetë dhe kanë tentuar ta paraqesin vdekjen si aksident.
Sot pritet të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyjave.