A duhet të bëj botox gjatë verës?

Botox është një nga trajtimet më të shpeshta të dermoestetikës jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Edhe pse jemi në verë, dhe në periudhë pandemie, mbetet trajtimi i preferuar i shumicës së femrave dhe meshkujve që drejtohen çdo ditë për të marrë shërbim në klinika dermoestetike. Kjo për faktin se në periudhen e ekspozimit në diell për shkak të dritës së fortë, bëjmë më tepër mimika dhe vemë re më shumë rrudha mimike në fytyrë, të cilat vera do t'i theksojë akoma më shumë ndërsa botoksi do t'i parandalojë të thellohen. Po kështu për kohën e shkurtër të trajtimit, rezultatet e shpejta e qartësisht të dallueshme si dhe për faktin që zgjasin në kohë (disa muaj), botox pavarësisht të qenurit trajtim me injeksione mbetet një nga trajtimet më të kërkuara e më të shpeshta që kryhet çdo ditë në klinikën dermoestetike VIVIA.
Po kështu ky trajtim me toksinën botulinike tip A, ndihmon edhe në qetësimin e dhimbjeve të kokës me natyrë migrenoze, ndaj janë jo pak burra dhe gra që drejtohen për këtë trajtim (të sugjeruar edhe nga neurologët) për të përmirësuar jo vetëm pamjen, por kryesisht cilësinë e jetës (më pak kriza dhe dhimbje koke migrenoze më të lehta pas botox).
Gjithashtu botox mbetet një trajtim i kërkuar në verë pasi redukton djersitjen e shtuar të lokalizuar në zona si sqetullat, pëllëmbët e duarve e të këmbëve, ku aplikohet gjithashtu nëpërmjet injeksioneve dhe jep rezultate shumë të kënaqshme disa ditë pas aplikimit e që zgjasin në kohë.
Por le t'i kthehemi aplikimit në fytyrë, e cila është pjesa më e ekspozuar në diell dhe që na kufizon për kryerjen e një pjese të trajtimeve rigjeneruese për shkak të periudhës së rekuperimit që kërkon mbrojtje nga dielli. Botox aplikohet kryesisht në zonën e ballit, anash syve, përreth gojës e hundës, këndit të nofullës në varësi të muskujve që synojmë të relaksojmë (e për pasojë të reduktojmë rrudhat dhe lëvizjet e mimikës). Injeksioni kryhet në më pak pika (më pak shpime), më në thellësi se trajtimet rigjeneruese, ku vaskularizimi është më i ulët e për pasojë ka më pak probabilitet për nxirje (hematoma), ndaj dhe pjesa më e madhe e pikave të injeksionit qëtësohen brenda disa minutash deri në pak orë pas trajtimit. Pra krahasuar me trajtime të tjera, trajtimi me botox ka një kohë shumë të shkurtër rekuperimi, që nuk kërkon shkëputje të gjatë nga aktiviteti i përditshëm dhe efekte sa të dukshme, aq edhe diskrete (në varësi të teknikës e dozimit që mjeku juaj përdor), por bindshëm disa ditë pas trajtimit do të keni një pamje më të freskët dhe të çlodhur të fytyrës.
Që trajtimi të japë rezultate maksimale dhe efekti të zgjasë sa më shumë ndiqni këshillat e mjekut pas trajtimit dhe mos harroni aplikimin e kremit mbrojtës të diellit dhe evitimin e orareve të pikut në diell në kuadër të mbrojtjes së përgjithshme të lëkurës tuaj.
Dr.Silvana Mishtaku
Email: [email protected]
Instagram: silvanamishtaku
Klinika VIVIA
Spitali Amerikan 3