A duhet të përdor makeup në plazh?
Në kohët e sotme, ku paraqitja në plazh merr një rëndësi të vecantë, të shumta janë vajzat që gjatë kësaj periudhe përdorin makeup dhe produkte kozmetike – fondotintë të lëngshme, pudër, blusher, rimel, tone sysh, parfum etj. Por të gjitha këto produkte, gjatë ekspozimit në diell mund të jenë të rrezikshme për lëkurën, përfshirë dhe një pjesë të produkteve waterproof. Këto të fundit mund të përmbajnë lëndë si silikoni, dylli, polimeret etj, të cilat mund të shkaktojnë bllokim të poreve, irritim të lëkurës dhe kanë tendencë të lartë për të shkaktuar alergji. Nëse patjetër doni të përdorni produkte “waterproof” në plazh, kontrollojini ato që të mos përmbajnë lëndët e mësipërme ose zgjidhni produkte “water resistant”.
Përsa i përket parfumit, aplikimi i tij në qafë e dekolte dhe ekspozimi ne diell mund të shkaktojë njolla (hiperpigmentime) pikërisht në formën si e keni sprucuar në lëkurë. Nëse nuk rezistoni dot pa të aplikojeni në zonat të cilat janë më pak të ekspozuara si për shembull në pjesën e pasme të qafës dhe rrëzë flokëve.
Në lidhje me fondotintën, pa të cilën shumë vajza ankohen se nuk dalin dot as nga dera e shtëpisë, më e mira është ta evitoni në plazh. Arsyeja kryesore është fakti që bllokon poret dhe ajrosjen e lëkurës që në kushtet e temperatuave të larta, nxehtësisë e djersitjes përkeqësohet edhe pa aplikimin e saj. Po kështu, pas djersitjes e futjes në ujë rrezikon t’ju tregojë si statujë dylli në shkrirje e sipër. Nga ana tjetër, aplikimi i fondatintës do t’ju kufizojë aplikimin e kremit të diellit në shpeshtinë e duhur (çdo 2 orë, pas djersitjes e futjes në ujë) duke bërë që lëkura të jetë më tepër e ekspozuar ndaj rrezatimit ultraviolet e për pasojë të krijojë njolla e të dëmtohen fijet e kolagjenit (fotoplakje). Nëse patjetër ju duhet të përdorni produkt unifikues të ngjyrës dhe mbulues të parregullsive kutane, zgjidhni pudrat kompakte (kremoze) me filtra mbrojtës (spf 50), BB cream ose krem dielli me ngjyrë (tinted cream) dhe evitoni produktet në formë pluhuri.
Gjithsesi duhet të keni parasysh se nëse ekspozoheni për shumë orë në diell, sidomos në ambientet e plazhit dhe doni të përdorni fondatintë do të duhet ta pastroni më shpesh fytyrën dhe të rifreskoni makeup-in. Nëse jeni kaq të vendosura dhe të palodhura për ta bërë këtë gjë, do të shkojë çdo gjë mirë, në të kundërt do të ankoheni herët ose vonë për njolla, puçrra, pore të zgjeruara e do t’ju nevojitet të telefononi një mjek dermatolog!
Dr.Silvana Mishtaku
Mjeke Dermatologe-Venereologe
Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3
Email: [email protected]
Instagram: silvanamishtaku