A e redukton Dermapen diametrin e poreve?
Megjithëse poret e zmadhuara nuk janë patologji mjekësore, ato përbëjnë shqetësim kozmetik në një grup të madh njerëzish, pasi e tregojnë sipërfaqen e lëkurës të ashpër, jo të njëtrajtshme dhe vihen akoma më në dukje kur apikohet fondatintë. Poret e zgjeruara vihen re më tepër në zonën e hundës, faqe e mjekër dhe janë gjendje shoqëruese e zakonshme për personat që vuajnë nga aknet.
Lëkura, si organi më i madh i trupit të njeriut, përmban rreth 5 milionë pore, prej të cilave vetëm në fytyrë gjenden rreth 20 mijë.
Poret e lëkurës ndahen në dy lloje: pore të yndyrës dhe ato të djersës. Poret e djersës janë më të vogla dhe shkaktojnë më pak problem estetik. Poret e yndyrës janë në fakt folikuj qimesh të shoqëruar me gjendër yndyrore (unitet pilo-sebac) dhe kanë për funksion ushqyerjen e rrënjëve të qimeve për t’u rritur si dhe të mbrojnë sipërfaqen e lëkurës nëpërmjet krijimit të një shtrese yndyre. Kur ato bllokohen prej yndyrës dhe qelizave të vdekura formohen pika të zeza dhe të bardha dhe me mbivendosje bakteresh shkaktohen akne.
Përveç bllokimit nga yndyra, qelizat e vdekura e papastërtitë në sipërfaqe të lëkurës (make up, ndotje ambientale) të cilat sjellin për pasojë edhe zgjerimin e poreve, këto të fundit mund të zgjerohen edhe nga faktorë të tjerë që përgjithësisht sjellin dëmtim të strukturës mbajtëse të lëkurës - kolagjenit dhe elastinës. Rrezatimi ultraviolet dhe gjithë ndryshimet e plakjes dobësojnë kolagjenin dhe strukturën mbajtëse të poreve duke bërë që të duken më të zgjeruara. Ndaj të gjitha trajtimet që stimulojnë prodhimin e kolagjenit dhe luftimin e shenjave të plakjes, duke forcuar strukturën mbajtëse kutane, ndihmojnë në reduktimin e diametrit të poreve.
Një nga trajtimet që ndihmon më së shumti në këtë proces është trajtimi me teknikën e quajtur “microneedling” patentën e së cilës e mban aparatura Dermapen.
Ky trajtim kombinon mikroshpimet e sipërfaqes së lëkurës me aplikimin e plazmës ose të vitaminave të ndryshme, të cilat nxitin procesin natyral të shërimit dhe prodhimin e kolagjenit të ri e si rezultat lëkura bëhet më e tonifikuar, më elastike, më e butë dhe e lëmuar. Në sajë të këtij procesi, dermapen redukton gjithashtu cikatricet post akne, redukton rrudhat dhe njollat duke i dhënë lëkurës pamje më të njëtrajtshme.
Trajtimi rekomandohet të kryhet me seanca në distancë kohore disa javore (në varësi të indikacionit) dhe ka një kohë rekuperimi relativisht të shkurtër, krahasur me lazerat.
Për efikasitet më të lartë trajtimit, respektimit të kushteve sterile në të cilat trajtimi duhet të kryhet, si dhe për krijimin e planit të duhur e të përshtatshëm për gjendjen e lëkurës tuaj, zgjidhni ta kryeni procedurën nga personel mjekësor i certifikuar.
Dr.Silvana Mishtaku
Email: [email protected]
Instagram: silvanamishtaku
Klinika VIVIA
Spitali Amerikan 3