A mund të bëjnë burrat lazer për heqjen e qimeve?
Pavarësisht se kujdesi për lëkurën konsiderohet akoma karakteristikë e vajzave dhe grave, që fatmirësisht ka kohë që ka ndryshuar edhe në Shqipëri, lëkura e meshkujve ka gjithashtu nevojë për përkujdesje, trajtime dhe mirëmbajtje. Dhe kur flasim për përkujdesje përfshihet edhe eliminimi i qimeve.
Në fakt qimet kanë funksione të mirëpërcaktuara në lëkurë e në zona specifike të saj, duke forcuar barrierën antimikrobiale, rregullimin e temperaturës trupore, marrin pjesë në funksionin e evaporimit dhe perspirimit dhe gjithashtu shërbejnë si organ sensor. Por nga ana tjetër, sidomos në rastet që janë shumë të dendura, nuk rrallohen apo shkurtohen, dhe nuk kryhen siç duhet masat e higjienës, përveç pamjes estetike (që do ta konsideroja çështje shijesh), mund të krijojnë problem duke përbërë depozitë mikrobesh të panumërta, që më pas shkaktojnë infeksione (folliculitis). Në raste të tjera eliminimi i qimeve mund të jetë një kusht i nevojshëm i lidhur me profesionin për shembull rasti i sportistëve.
Ndaj, në të gjitha rastet pavarësisht arsyes, kërkohet të zgjidhet metoda më e mirë e më afatgjatë për eliminimin e tyre. E ashtu si për gratë, edhe për burrat, lazeri mbetet metoda më e mirë për reduktimin afatgjatë të qimeve sidomos nëse nuk e toleron mirë heqjen e tyre me dyll ose me brisk.
Drita e lazerit targeton pigmentin e rrënjëve të qimeve dhe përthithet prej tyre duke u shndërruar në nxehtësi, e cila ngadalëson procesin e rritjes ose i shkatërron ato. Dhe pas disa seancash lëkura paraqitet më e butë, pa puçrra, me qime më të rralla e më të holla.
Kraharori, barku e shpina janë zonat më të zakonshme që trajtohen me lazer tek meshkujt , por gjithashtu një tjetër zonë ku reduktimi i qimeve me lazer është i domosdoshëm është zona e qafës. Sidomos në ata meshkuj që rrinë gjatë pjesës më të madhe të kohës me këmishë e kravatë, qimet e trasha (sidomos pas aplikimit të briskut) gjatë fërkimit me jakën e këmishës shkaktojnë irritim të lëkurës, puçrra e kruajtje (pseudofolliculitis barbae) të cilat mund të lënë edhe shenja definitive. Pas reduktimit të qimeve me lazer, që pas 2 seancave, ky fenomen irritues zbehet në mënyrë të ndjeshme.
Fatmirësisht me zhvillimin e teknologjisë së lazerave ky proces është i padhimbshëm dhe kryhet në kohë më të shkurtër. Ne në klinikën Vivia disponojmë lazerin Soprano ICE, i cili kombinon 3 teknologji (Diode, Alexandrite dhe Nd Yag ) për të arritur efikasitetin maksimal në reduktimin e qimeve, në një numër mesatar prej 6-8 seanca që kryhen në distancë kohore prej 6-8 javë.
Nëse ndiqen rekomandimet dhe kryerja në afatet e përcaktuara, meshkujt do të kenë reduktim permanent prej 50-85% të qimeve në zonën e trajtuar.
Dr.Silvana Mishtaku
Mjeke Dermatologe-Venereologe
Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3
Email: [email protected]
Instagram: silvanamishtaku