Ta thotë doktoreshë Silva

Çfarë duhet të dimë për melanomën e lëkurës, që është jo pak e rrezikshme

Çfarë duhet të dimë për melanomën e

Melanoma është një nga 3 llojet e kancerit të lëkurës, me shpeshti më të ulët se llojet e tjera (kanceri bazoqelizor dhe spinoqelizor), por më seriozja mes tyre me risk shumë të lartë përhapje në organizëm dhe me prognozë të keqe nëqoftëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në stade të hershme.

Pavarësisht se të gjithë njerëzit duhet të tregohen të kujdesshëm, një kategori e caktuar paraqet më shumë risk për të vuajtu nga melanoma e lëkurës. Në këtë grup përfshihen njerëzit me ngjyrë të çelët të lëkurës, syve e flokëve, me prezencë të madhe të qukave dhe tendencë të lartë për të shfaqur quka pas ekspozimit në diell, numër të madh nishanesh, prezencë e më shumë se 5 nishanesh të çrregullt, nishane të lindura e me sipërfaqe të madhe, ata me historik të të afërmve me melanoma, si dhe njerëzit që ekspozohen shumë dhe pa masa mbrojtëse në diell e sidomos ata që pësojnë djegie të lëkurës nga dielli nëse paraqiten me flluka (vezikula e bula). Rrezatimi ultraviolet mund të dëmtojë materialin gjenetik të qelizave të lëkurës duke shkaktuar rritje të pakontrolluar të tyre në rastin e ekspozimit të vazhdueshëm përgjatë viteve. Ndaj masat e mbrojtjes ndaj diellit janë të rëndësishme të zbatohen që në fëmijëri.

Melanoma mund të zhvillohet de novo, pra me shfaqjen e nishaneve të reja të cilat duhen kontrolluar te dermatologu, ose mbi nishane ekzistues të cilët pësojnë transformime. Ndaj është shumë e rëndësishme të kontrollohet ecuria e nishaneve ekzistues dhe të vëzhgohet çdo ndryshim i tyre në formë, madhësi e ngjyrë.

Melanoma e merr origjinën nga melanocitet, të cilat janë qeliza të pigmentuara të vendosura kryesisht në lëkurë dhe që prodhojnë pigmentin melaninë duke i dhënë ngjyrë lëkurës dhe duke e mbrojtur nga rrezatimi ultraviolet. Numri i këtyre qelizave është i përcaktuar gjenetikisht dhe në rastin e zhvillimit të melanomës këto qeliza pësojnë mutacione duke bërë që të shumohen në mënyrë të pakontrolluar. Melanomat në meshkuj shfaqen në shpesh në kraharor dhe shpinë ndërsa tek femrat shfaqen më shpesh në këmbë. Megjithatë ajo mund të prekë çdo pjesë të lëkurës përfshirë dhe fytyrën, veshët etj.

Ashtu si për patologjitë e tjera malinje, edhe për melanomën ka një klasifikim stadesh që është mjaft i rëndësishëm për trajtimin dhe ecurinë e sëmundjes. Sa më herët të diagnostikohet –stade me lokalizim vetëm në sipërfaqe të lëkurës, ose vetëm në lëkurë- aq më e madhe mundësia e trajtimit me sukses dhe shërimit prej saj, gjithmonë duke kryer kontrolle periodike të lëkurës.

Përveç paraqitjes për kontroll rutinë të nishaneve te dermatologu dhe ekzaminimit dermatoskopik, gjithashtu është e rëndësishme që cdo individ të kontrollojë dhe të vëzhgojë ndryshimet e nishaneve që ka në trup. Për ta lehtësuar këtë proces janë hartuar disa rregulla të quajtura “ABCDE” të cilat përshkruajnë 5 karakteristika që duhen kontrolluar në çdo nishan për të përjashtuar ose konfirmuar melanomën dhe lezionet e tjera kanceroze të lëkurës;

A-Asimetra –nishanet jo patologjik kanë tendencë të jenë simetrikë ndërsa ato kancerogjene jo B-Bordura e nishanit- nishanet problematike paraqesin bordurë jo të rregullt dhe shpesh mund të kenë zgjatime ose zona ku zhduket bordura.

C-Colour –Ngjyra e nishanit. Melanoma ka tendencën të ketë ngjyrë jo të njëtrajtshme, por me pigment të shpërndarë në mënyrë të çrregullt, me zona të zbardhura e të tjera të zeza, ose me nuancë blu.

D-Diametri. Melanoma që zhvillohet në nishane preekzistues shkakton rritje të diametrit me mbi 0.5 cm, kjo nuk duhet ngatërruar me rritjen në diametër të nishaneve gjatë shtimit të përmasave trupore si adoleshencë, shtatzëni etj.

E-Ecuria e një nishani ku duhet pasur parasysh çdo ndryshim në pamjen e tij .

Shenja të tjera shqetësuese që duhet t’ju drejtojnë te mjeku dermatolog janë elementet kutane plagë që nuk shërohen, përhapja e pigmentit të një nishani nga kufiri në lëkurën fqinje, ndjesia e dhimbjes, kruajtjes në një nishan, ndryshime të sipërfaqes së nishanit me gjakosje, infeksion ose ndryshim të relievit me shfaqjen e nodujve-ngritjeve mbi një nishan ekzistues, shfaqja e një nishani të ri që nuk ngjan me nishanet e tjerë ose në rastin e shfaqjes së pigmentimeve tek thonjtë.

Konfirmimi i diagnozës dhe trajtimi i melanomës bëhet me rrugë kirurgjikale duke e hequr dhe ekzaminuar histologjikisht (biopsi) më pas. Diagnostikimi dhe trajtimi në kohë shpëton jetë!

Dr.Silvana Mishtaku

Mjeke Dermatologe-Venereologe

Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku