Mbi të gjitha, ky është elementi që i duhet fytyrës tënde që të shkëlqejë
![Doktoreshë Silva](https://cdnimpuls.com/tiranapost.al/media3/-48-0-5e3b00ebb419c.jpg)
Në shkrimin e mëparshëm fola për rëndësinë e shtimit të serumit në rutinën tuaj për përkujdesjen ndaj lëkurës. Serumi është formulim dermatologjik që përmban në përqëndrim të lartë molekula të lëndëve aktive me funksione të ndryshme, të cilat depërtojnë thellë në lëkurë në krahasim me formulat e tjera si locioni e kremi. Vitamina C është një nga lëndët më efektive për lëkurën, ashtu sic është e rëndësishme për të gjithë organizmin në rritjen e imunitetit. Ndaj dhe gama e serumeve me përmbajtje vitaminë C është e gjerë. Për një seri të gjerë përfitimesh, ju mund të shtoni në rutinën tuaj serumin me përbërës të vetëm vitaminë C (përqëndrim 10%-20% në formën e L-acid ascorbic, ose në formën e magnesium ascorbyl phosphate, etj) ose të kombinuar me antioksidantë të tjerë si vitaminë E, acid ferrulic, me komplekse antinjollë, me acid hialuronik, etj.
Vitamina C në lëkurë ka rol të fuqishëm antioksidant. Pra, redukton dëmtimet e lëkurës nga radikalet e lira që krijohen në lëkurë nga agjentët dëmtues (ndotësit ambientalë, kimikate të ndryshme, papastërti dhe rrezatim ultraviolet). Duke reduktuar radikalet e lira, reduktohet inflamacioni që ato mund të shkaktojnë në lëkurë, ndaj ndihmon edhe në përkujdesjen për lëkurën akneike. Gjithashtu vitamina C rrit eliminimin e qelizave të vdekura në sipërfaqe të lëkurës duke ndihmuar në formimin e më pak pikave të zeza, si dhe në shtimin e shkëlqimit dhe vitalitetit të lëkurës.
Kjo vitaminë ndihmon edhe në reduktimin e rrudhave të lehta pasi stimulon prodhimin e kolagjenit dhe mbron nga fotoplakja (plakja e lëkurës nga ekspozimi në diell dhe veprimi i rrezeve UV).
Si rezultat i reduktimit të prodhimit të melaninës, vitamina C gjendet në formulime serumesh për trajtimin e hiperpigmentimeve (njollave) dhe homogjenizimin e ngjyrës së lëkurës.
Në Shqipëri ju mund të gjeni në farmaci marka të ndryshme serumesh me përmbajtje vitaminë C të kombinuara ose jo dhe me mikoropërbërës të tjerë, si Lierac mesolift, Teoxane RHA x VCIP, Soha Sardinia lemon peel, Rilastil D-clar, RVB lab hyalu C etj.
Por para se ta shtoni në rutinë duhet të merri disa informacione në lidhje me këtë produkt;
- Serumi me përmbajtje vitaminë C paketohet në shishe të errëta ose opake (të ngjyrosura) ose në mikrokapsula monodozë dhe asnjëherë në shishe transparente, sepse vitamina C është e ndjeshme ndaj dritës duke u oksiduar dhe u bërë e paefektshme ose irrituese për lëkurën. Produkti pas hapjes mund të errësohet pak, por nëse merr erë të keqe dhe ndryshon konsistencë nga lëng në gjendje viskoze ju nuk duhet ta përdorni më. Produkti pas hapjes ka jetëgjatësi që varion nga 6-12 muaj, por rekomandohet përdorimi i rregullt i tij cdo ditë deri në përfundimin e tij (jo ta hapni, ta përdorni disa herë e të kujtoheni për ta ripërdorur pas disa muajsh.
-Nëse e përdorni për herë të parë, testojeni 24 orë para në lëkurën e parakrahut (ashtu si duhet të bëni në fakt për cdo produkt dermokozmetik). Nëse ju shkakton ndjesi djegieje dhe kruajtje që vjen duke u shtuar apo akoma më keq skuqje në sipërfaqe të gjerë dhe edemë (enjtje),shpëlajeni me ujë dhe mos e aplikoni në fytyrë! Nëse nuk jep një reagim të tillë në parakrah, të nesërmen mund ta aplikoni në fytyrë.
-Në mëngjes, radha e përdorimit fillon me pastrimin e fytyrës me larës ose qumësht dhe tonik, aplikim të serumit e më pas kremit hidratues dhe atij mbrojtës ndaj diellit. Fakti që vitamina C mbron nga rrezatimi Uv nuk do të thotë që s’duhet të aplikoni kremin e diellit më pas. Përkundrazi, të dyja së bashku, serumi me vitaminë C dhe kremi me spf, e bëjnë më të plotë mbrojtjen e lëkurës nga rrezatimi ultraviolet.
-Serumi me vitamin C mund të përdoret 1-2 herë në ditë, por nëse keni në rutinën tuaj të darkës një krem antiage me përmbajtje retinoli, ju nuk duhet të aplikoni këtë serum dhe menjëherë pas kremin pasi këto produkte veprojnë në pH të ndryshëm (vit C pH 3-3.5 ose më të ulët), retinoli 4.5-5.5) dhe jo vetëm që ulin efikasitetin e njëra tjetrës por edhe mund ta irritojnë lëkurën (janë të dyja lëndë që mund të irritojnë.) Nëse doni ta përdorni dhe në darkë, pas aplikimit të këtij serumi duhet të prisni të paktën 1.5 orë para aplikimit të kremit me retinol, ose mjaftohuni me përdorimin e serumit me vitaminë C në mëngjes dhe vazhdoni rutinën e darkës si më parë.
-Zakonisht serumi me vitaminë C mund të përdoret nga cdo lloj lëkure, pavarësisht se është lëndë acide. Por kujdes duhet të tregojnë personat me lëkurë hipersensitive ose rosacea, të cilët ose nuk duhet ta përdorin ose duhet të gjejnë formulime të tilla të vitaminës C me vitaminë E, glicerinë, acid hialuronik etj, të indikuara pikërisht për lëkurë hipersensitive.
-Efektet e përdorimit të serumit me vitaminë C, me shkëlqim lëkure, vitalitet e homogjenizim të ngjyrës së lëkurës , shihen pas përdorimit të rregullt për një periudhë të paktën 4 javore.
Dr.Silvana Mishtaku
Mjeke Dermatologe-Venereologe
Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3
Email: [email protected]
Instagram: silvanamishtaku