Ta thotë doktoreshë Silva

Po çmendem nga një problem i duarve. I kam kuruar dy herë pa rezultat

Po çmendem nga një problem i duarve. I kam kuruar dy herë pa

Përshëndetje Doktoresha! Unë kam rreth 10 muaj që më bëhet plagë njëra dorë, me kruhet dhe djeg sidomos pasi laj enë ose qëroj perime. Kam bërë dy vizita dhe mjekja më ka dhënë mjekim me vitamina dhe dy kremra. Dora qetësohet gjatë kurës dhe pastaj rishfaqet problemi. Gjatë vizitës mjekja më tha të bëja kujdes me ushqimet pikante ose më saktë të mos i konsumoj fare. Dua të di ç`lidhje ka kjo? A kam ndonjë problem tjetër shëndetësor që shfaqet në lëkurë. Google të çmend. Aty thuhet se shumë sëmundje të brendshme shfaqen në lëkurë. Sa e vërtetë është kjo?

Problemi që paraqisni në lidhje me lëkurën e duarve, nuk është i panjohur për mjekët dermatologë duke qenë se duart janë pjesa e trupit e përfshirë në pjesën më të madhe të aktivitetit ditor të njeriut dhe lëkura e tyre  e cila bie në kontakt me çdo gjë të ambientit rrethues .

Në personat me tendencë ekzeme apo lëkure atopike (lëkurë më e thatë) si dhe në personat me ekspozim të duarve ndaj agjentëve irritues (larje e shpeshtë, detergjentë, kimikate të ndryshme) barrier lipidike thahet, shtresa e qelizave sipërfaqësore (keratinocitet) dëmtohet e për pasojë prishet integriteti i barrierës kutane. Për të kufizuar këtë dëmtim, trupi aktivizon mekanizmat mbrojtës dhe zhvillohet inflamacioni që manifestohet me eritemë (skuqje). Në këtë proces inflamator marrin pjesë një seri e gjerë qelizash dhe mediatorësh inflamatorë të cilët kanë për qëllim kufizimin dhe riparimin e dëmtimeve të lëkurës. Duke qënë se shumë produkte ushqimore (dhe jo vetëm ato pikante) kanë veti që nxisin prodhimin e mediatorëve inflamatorë, shpesh kërkohet si shtesë ndaj terapisë lokale edhe modifikimi i dietës që në fakt duhet të fillojë me kufizimin e shumë prej tyre (fruta acide, bulmet, pikante, domate, vezë etj) dhe më pas rifutjen në dietë një nga një e në mënyrë graduale derisa të identifikohet ushqimi përkeqësues i cili më pas do eleminohet nga regjimi ushqimor. Por siç e përmenda më sipër, kjo është një masë shoqëruese e mjekimit lokal i cili vendoset pasi është vërtetuar diagnoza (ekzemë, dermatit atopik, dermatit irritativ kontakti etj) dhe shmangen apo kufizohet kontakti i duarve me lëndët irrituese. Gjithsesi një pjesë e këtyre patologjive janë kronike, me faza qetësie dhe acarimi ndaj mjekimet janë të vazhdueshme dhe ndryshojnë më varësi të fazës së sëmundjes. Por për evitimin dhe kufizimin e periudhave të acarimit luajnë rol masat mbrojtëse duke shmangur kontaktin me lëndët irrituese të identifikuara dhe mirëmbajtjen e hidratimin e vazhdueshëm të duarve nëpërmjet kremrave të posaçëm.

Dr.Silvana Mishtaku

Mjeke Dermatologe-Venereologe

Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku