Ta thotë doktoreshë Silva

Sekreti për të luftuar njollat e diellit pas plazhit

Sekreti për të luftuar njollat e diellit pas plazhit

“Hiperpigmentim” është termi mjekësor që përkufizon njollat më të errëta se lëkura normale, të cilat formohen kur lëkura prodhon më shumë melaninë në një zonë të caktuar (pigmenti që i jep ngjyrë lëkurës).

Tre shkaqe të njollave mund të jenë ekspozimi në diell (njolla nga dielli), ndryshime hormonale (melazma), ose dëmtimi i saj nga procese inflamatore si djegia, aknet etj (hiperpigmentime postinflamatore).

Hiperpigmentimet janë mjaft të shpeshta në të gjitha tipet e lëkurës dhe pavarësisht se të padëmshme në vetvete, shkaktojnë shqetësim estetik dhe psikologjik dhe gjithashtu duhet të vlerësohen nga mjeku pasi në një pjesë të konsiderueshme të rasteve janë indikatorë të patologjive të caktuara.

Melazma e cila shfaqet me njolla të errëta në formë harte në fytytë– ballë, faqe, në mënyrë simetrike e mjekër konsiderohet pasoja më e shpeshtë e çrregullimeve hormonale në vajzat me predispozicion gjenetik pas ekspozimit në diell. Megjithatë studimet e fundit tregojnë se melazma shfaqet në vetëm 20% të grave në periudhën e shtatzënisë dhe 10% të grave në periudhën e menopauzës, si dhe që ndryshimet e lëkurës me melazma përfshijnë të gjitha ndryshimet që pëson nga fotoplakja. Ndaj, pavarësisht se vajzat që aplikojnë krem mbrojtës referojnë me shqetësim se njollat sërish ju rishfaqen, duhet të kufizojnë ekspozimin në diell dhe të aplikojnë krem mbrojtës me spektër të gjerë ndaj UVA, UVB dhe dritës blu (drita e dukshme që emëtojnë llampat, tv, celularë etj). Studimet kanë treguar se kremi mbrojtës me spektër të gjerë, ul ndjeshëm intensitetin e njollave që shfaqen, ndaj mos u dekurajoni dhe vazhdoni me këmbëngulje ta përdorni rregullisht.

Trajtimi i gelazmave, pavarësisht alternativave të shumta, mbetet një sfidë më vete, si rezultat i rishfaqjes pothuaj çdo sezon ekspozimi në diell. Ndaj dhe shumë vajza lodhen me trajtimin e tyre ose mendojnë t’i mbulojnë më mirë me fondotinë sesa të shpenzojnë për t’i trajtuar, duke pritur që të zbehen vetë në dimër. Por siç përmenda më sipër, melazmat nuk janë thjesht njolla të errëta, por përfshijnë gjithë ndryshimet e plakjes së lëkurës nga ekspozimi i vazhdueshëm në diell. Ndaj trajtimet, qoftë ato me kremra me përmbajtje si acidi azelaik, acidi kojik, tretinoine, etj ashtu edhe trajtimet dermoestetike profesionale, ndihmojnë në reduktimin e melazmave dhe nxisin rigjenerimin e shtresave kutane. Nëse trajtimet me kremra veprojnë vetëm në melazmat epidermale (lokalizim i pigmentit vetëm në sipërfaqe të lëkurës), trajtimet profesionale mund të trajtojnë edhe njollat me lokalizim më të thellë dhe atyre rezistente nga trajtimi me kremra si dhe të nxisin rigjenerimin e thellë të lëkurës. Ajo çfarë duhet të keni parasysh është fakti se sa më të reja të jenë njollat, aq më tepër sukses do të kenë trajtimet dhe do të nevojiten më pak seanca.

Tashmë që verës i erdhi fundi, të shumta janë vajzat që paraqesin këtë shqetësim dhe kërkojnë ndihmë për trajtimin e njollave. Si fillim rekomandohet konsulta me mjekun dermatolog për të përcaktuar shkaqet, natyrën dhe thellësinë e njollave e më pas përcaktimi i një skeme me trajtime të kombinuara të përshtatura për çdo individ.

Mezoterapia antinjollë është një nga terapitë më të suksesshme në luftën kundër njollave e cila siguron zbehjen e tyre që pas seancës së parë, duke rigjeneruar dhe luftuar edhe shenjat e moshës njëkohësisht. Ajo mund të kombinohet në mënyrë perfekte me trajtimin me plazma, në të njëjtën seancë duke vepruar njëkohësisht në disa drejtime, përfshirë dhe dëmtimet nga ekspozimi në diell gjatë sezonit të verës.

Për të gjithë njërëzit që duan të kujdesen për lëkurën dhe të reduktojnë njollat, por nuk durojnë dot injeksionet dhe as t’i shohin gjilpërat, prej më shumë se një viti, disponojmë trajtim biorevitalizues dhe antinjollë pa shpime –reverse peel needle free. Ky trajtim revolucionar kombinon acidin triklor acetik (TCA) me efekte biorevitalizuese të lëkurës tashmë të vërtetuara, me një gamë të gjerë acidesh si acidi laktik dhe fitik, acidi glikolik, mandelik dhe acidi salicilik, të cilat absorbojnë pigmentin e depozituar në të gjitha shtresat e lëkurës dhe përshpejtojnë eliminimin e qëlizave të vdekura të sipërfaqes kutane duke rezultuar kështu në lëkurë dukshëm më të re dhe me pigment më homogjen. Ky trajtim profesional biorevitalizues dhe antinjollë realizohet në klinikë, në rreth 30 minuta, pa shpime e pa dhimbje, pa irritim të lëkurës dhe me rikthim të menjëhershëm në aktivitetin tuaj ditor. Për të përforcuar rezultatet ju mund të vazhdoni në kushtet e shtëpisë përdorimin e serumit antinjollë të këtij trajtimi me acid ferulik, acid tranexamik e lipoik ose serume të tjera me rekomandimin e mjekut dermatolog.

Ajo cfarë dua t`ju përmend sërisht është fakti që trajtimet realizohen me seanca dhe numri e suksesi i tyre varet sesa shpejt pas formimit të njollave drejtoheni te mjeku dermatolog.

Dr.Silvana Mishtaku

Dermatologe-Venereologe

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku

Klinika VIVIA

Spitali Amerikan 3