Ta thotë doktoreshë Silva

Si ta ruaj elasticitetin e lëkurës pa bisturi?

Si ta ruaj elasticitetin e lëkurës pa bisturi?

Elasticiteti i lëkurës (për të cilin mund të dëgjoni pa fund trajtime që e përmirësojnë) është aftësia e lëkurës për t’u tendosur dhe për t’u rikthyer sërish në vendin e vet. Humbja e elasticitetit bën që lëkura të duket e varur dhe të krijojë rrudha. Zonat e ekspozuara në diell si fytyra, qafa, dekolteja e duart mund ta humbasin më shpejt elasticitetin se zonat e tjera (solar elastozis), por sidoqoftë me kalimin e moshës elasticiteti i lëkurës bie në të gjithë sipërfaqen e saj si rezultat i pakësimit të prodhimit të kolagjenit dhe fijeve të elastinës të indit lidhor subkutan.

Krahas shenjave që vijnë natyrshëm prej procesit të plakjes, në procesin e humbjes së elasticitetit ndikojnë edhe një sërë faktorësh të jashtëm të quajtur faktorë ambientalë si dhe stili i jetesës. Në këto faktorë përfshihen ekspozimi në diell i përmendur më sipër, ndotja ambientale, dieta e varfër ushqimore ,duhanpirja, rënia e menjëhershme dhe e theksuar në peshë, etj.

Përvec shmangies së faktorëve të mësipërm, ju mund të shtoni në dietën tuaj produkte me përmbajtje antioksidantësh si vitamin C, E, karotenoidet apo të merrni suplemente me bazë kolagjeni, acidi hialuronik e vitamin C, dhe gjithashtu të përdorni lokalisht (në formë serumi ose kremi) produkte dermokozmetike me përmbajtje të acidit hialuronik, Vitaminë C si dhe retinol.

Madje, fillimi i stinës së vjeshtës është momenti i duhur për të futur në rutinën tuaj produktet me përmbajtje retinoli (derivat I Vit.A). Për përqindjen dhe produktin më të përshtatshëm për lëkurën tuaj, këshillohuni me mjekun tuaj dermatolog ose farmacistin.

Trajtimet dermo estetike si PRP (injeksione plazma), peeling kimik dhe mekanik, aparatura lazerike si FRAXEL, dhe radiofrekuencë si THERMAGE mund tju ndihmojnë me efikasitet më të lartë, më të shpejtë por edhe më afatgjatë në përmirësimin e elasticitetit dhe ngadalësimin e shenjave të plakjes. Mjeku dermatolog do përcaktojë dhe aplikojë skemën e duhur të përshtatur për lëkurën tuaj, të bazuar mbi protokolle shkencore. Ndersa kirurgjia plastike-bisturia është pa dyshim forma me efektet më të dukshme në rinimin e pamjes së fytyrës dhe rimodelimin e formave trupore. Në sajë të heqjes së lëkurës së tepërt, të plakur dhe jo elastike rimodelon pamjen dhe jep ndryshime të shpejta të saj. Por siç e përmenda, nëpërmjet kirurgjisë hiqet vetëm lëkura e tepërt dhe ajo që mbetet është po aq jo elastike dhe e plakur sa më parë. Përveç kësaj kirurgjia ka kosto më të lartë dhe kohë rekuperimi shumë më të gjatë se trajtimet jokirurgjikale miniinvazive (PRP, mezoterapi, PDO threads, peeling, lazera, radiofrekuencë). Ndaj këto të fundit këshillohen të kryhen në mënyrë periodike, prej mjekëve të specializuar e certifikuar.

Dr.Silvana Mishtaku

Mjeke Dermatologe-Venereologe

Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku