Ta thotë doktoreshë Silva

Si të kujdesem për fytyrën në kushte karantine

Si të kujdesem për fytyrën në kushte karantine

Gjatë periudhës së distancimit social dhe qëndrimit në shtëpi, roli negativ i ndotësve ambientalë dhe make up-i mbi lëkurë është zëvendësuar nga përdorimi i maskave, dezinfektanëve dhe avujve të detergjentëve të ndryshëm (pa harruar stresin e shtuar), të cilat jo rrallëherë nxisin irritimin e lëkurës.

Përdorimi i maskave sidomos në personat që janë të detyruar t’i mbajnë veshur për shumë orë, jo vetëm mund të shkaktojnë irritim mekanik (nga kontakti), por shkakton edhe djersitje e lagështi duke krijuar një mikromjedis të favorshëm për shtimin e mikrobeve patogjene si dhe pengimin e frymëshkëmbimit në nivel qelizor të lëkurës. Si rezultat lëkura mund të skuqet, irritohet dhe të vihet re shtim i pikave të zeza, të bardha e të pucrrave perreth gojës, hundës dhe në mjekër.

Ndaj pavarësisht qëndrimit në shtëpi, vazhdoni të përkujdeseni për lëkurën e fytyrës në mënyrë të rregullt duke e pastruar, ushqyer e hidratuar, madje edhe duke e mbrojtur ndaj rrezatimit ultraviolet (të ndricimit të brendshëm, tv, kompjuter e celularë) nëpërmjet aplikimit të kremit me spf .

Pra, pavarësisht se nuk do të dilni, lani rregullisht fytyrën me larësin që përdorni zakonisht, në mëngjes dhe në darkë. Nëse lëkura juaj është skuqur dhe irrituar zëvendësoni larësin e mëparshëm me një larës për lëkurë sensitive ose të irriuar. Po kështu edhe nëse janë shfaqur pucrra apo pika të zeza, kërkoni për një larës me veti eksfoliuese dhe anti akne.

Menjëherë pas pastrimit, aplikoni një serum në lëkurën tuaj. Kjo pasi serumi përmban në përqëndrim të lartë molekula të vogla të lëndëve aktive të cilat penetrojnë thellë në lëkurë. E në varësi të përmbajtjes së serumit përmirësohet eliminimi i toksinave nga lëkura (serume antioxidante zakonisht me përmbajtje vitamina (A,C,E), ushqehet e hidratohet në thellësi (serume hidratues me përmbajtje acid hialuronik), reduktohen pikat e zeza e të bardha (serume exfoliues, me përmbajtje acid salicilik), reduktohen rrudhat e lehta (serume anti-age), reduktohen hiperpigmentimet kutane (serume antinjollë), etj.

Për shkak të benefiteve të këtij produkti, pavarësisht markës dhe llojit (që duhet zgjedhur me kujdes e në varësi të tipit të lëkurës), nëse më parë nuk e keni aplikuar serumin, tani keni gjithë kohën e mundshme për ta bërë. Aplikojeni atë në mëngjes dhe në darkë e pasi të përthithet, aplikoni kremin hidratues në fytyrë pa harruar qafën dhe dekoltenë.

Nëse lëkura paraqet skuqje dhe irritime siç përmenda në fillim, zëvendësoni kremin hidratues të mëparshëm me hidratues të linjave sensitive dhe me përmbajtje komplekse antiinflamatore. Nëse gjendja e lëkurës përkeqësohet, kërkoni këshillat e mjekut dermatolog.

E meqënëse keni kohë të mjaftueshme (për ata që kanë), mos harroni aplikimin e maskave 1-2 herë në javë. Do t’ju këshilloja të tregoheni të kujdesshëm me zgjedhjen e tyre dhe të mos eksperimentoni sidomos me maskat e krijuara me produkte ushqimore, dhe maska që nuk i keni provuar më parë, pasi mund të shkaktojnë irritim e reaksione alergjike në fytyrë. Në këto javë karantinimi, ianë jo të pakta rastet e konsultave që paraqiten në klinikë për këtë problematikë.

Nëse doni patjetër të provoni një maskë të re, aplikojeni fillimisht në një sipërfaqe të vogël të lëkurës e pasi të shihni reagimin e të siguroheni që nuk ju shkakton djegie e irritim, mund ta aplikoni në të gjithë lëkurën.

Dr.Silvana Mishtaku

Mjeke Dermatologe-Venereologe

Spitali Amerikan 3 - Klinika VIVIA

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku