Ta thotë doktoreshë Silva

Si të kujdesemi në plazh për lëkurën e djegur nga dielli

Si të kujdesemi në plazh për lëkurën e djegur nga

Në mjekësi është shumë i rëndësishëm parimi “më mirë të parandalosh sesa të kurosh” ndaj gjatë verës theksi vihet tek zgjedhja e kremrave mbrojtës e respektimi i orareve të ekspozimit në diell. Por jo gjithmonë ndodh që të respektohen këto rregulla, e sidomos nga personat që e kanë shqetësim marrjen e ngjyrës së bronxtë sa më shpejt të jetë e mundur. Këta individë jo vetëm që nuk përdorin krem mbrojtës, por ekspozohen në oraret e pikut të rrezatimit UV me produkte që stimulojnë nxirjen e shpejtë.

Për të gjithë ju që e bëni këtë gjë, por mendoni se lëkura juaj është e fortë dhe s’e gjen asgjë, dua t’ju sjell në vëmendje faktin që demtimet e lëkurës janë 2 llojesh; të menjëhershme (skuqje, djegie që vihen re menjëherë pas ekspozimit) dhe të vonshme si rezultat i akumulimit të vazhdueshëm të rrezeve UV në lëkurë (plakje, kancer lëkure etj). Ndaj, pavarësisht se mund t’i shpëtoni djegieve nga dielli edhe nëse ekspozoheni pa kriter, në terma afatgjatë kjo sjellje dëmton kolagjenin dhe favorizon plakjen, njollat dhe kancerin e lëkurës.

Gjithsesi, të shumtë janë njerëzit që i respektojnë masat e ekspozimit në diell, po për arsye nga më të ndryshmet, pësojnë irritim të lëkurës e djegie nga ekspozimi në diell. Ndaj do doja t'ju sillja disa këshilla se si t’i menaxhoni këto situata, gjithmonë nëse kemi të bëjmë me djegie të lehtë të lëkurës. Në rast se lëkura paraqitet me vezikula /flluska (djegie grada 2) të cilat janë të mëdha, në sipërfaqe të gjerë lëkure, shoqëruar me ethe, temperaturë ose dhimbje koke duhet patjetër të drejtoheni tek mjeku më i afërt për të marrë mjekim medikamentoz .

Nëse lëkura juaj nga ekspozimi në diell paraqitet e skuqur, e ndjeshme dhe me dhimbje në sipërfaqe, ju duhet si fillim ta qetësoni atë. Aplikoni në sipërfaqen e djegur kompresa të freskëta për disa minuta, disa herë në ditë. Si lëndë freskuese për kompresat zgjidhni lotion me përmbajtje lëndësh antiinflamatore dhe ujë termal për të reduktuar skuqjen dhe ndjesinë e djegies (produkte të tilla mbajnë shënimin soothing lotion/apaisante).

Hapi pasues është aplikimi i një kremi ose vaji me efekt riparues të barrierës kutane. Produkte të tilla mund të përmbajnë vitaminë E, aloe vera, acid hialuronik etj përmbajnë përshkrime të tilla si skin repair, aftersun burn .

Në ditët në vijim, derisa lëkura të qetësohet, mundohuni të kufizoni ekspozimin e lëkurës së djegur , duke mbajtur veshje të lehta të pambukta dhe kur të ekspozoheni aplikoni krem mbrojtës me spf dyfish më të lartë se ai që kishit përdorur para djegies (nëse kishit përdorur). Gjithashtu kini parasysh mos t’i shkëpusni vetë me dorë copëzat e lëkurës së rrjepur mbi lëkurën akoma të skuqur e që dhemb (pavarësisht se s’janë të këndshme për t’u parë) pasi e dëmtoni më shumë barrierën kutane duke e prirë atë për mbivendosje infeksionesh. Dhe mos harroni të pini më tepër ujë gjatë kësaj periudhe!

Dr.Silvana Mishtaku

Dermatologe-Venereologe

Email: HYPERLINK "mailto:[email protected]" [email protected]

Instagram: silvanamishtaku

Klinika VIVIA

Spitali Amerikan 3