Ta thotë doktoreshë Silva

Tani që po dalim nga shtëpia, duhet të kemi kujdes nga koronavirusi dhe dielli

Tani që po dalim nga shtëpia, duhet të kemi kujdes nga

Si të zgjidhni kremin mbrojtës ndaj diellit?

Në muajin e sensibilizimit të popullatës ndaj kancerit të lëkurës dhe melanomës, dëgjohet më shpesh përdorimi i kremit mbrojtës ndaj diellit, si një nga masat parandaluese për zhvillimin e këtyre lezioneve. Por si ta zgjidhni kremin mbrojtës? Si t’i lexoni të dhënat në kutinë e kremit e çfarë domethënie kanë ato… Si fillim, dua t’ju theksoj se asnjë krem nuk ju mbron 100% nga rrezatimi UV, por zgjedhja e produktit të duhur e rrit mbrojtjen deri në 98-99%, gjithmonë nëse e aplikoni në sasinë dhe shpeshtinë e duhur.

Tani që po dalim nga shtëpia, duhet të kemi kujdes nga
Foto nga American Academy of Dermatology

Kriteri i parë që kremi duhet të plotësojë për të qenë një mbrojtës i mirë, është spektri i gjerë i veprimit. Kjo do të thotë që nëse një krem është mbrojtës me spektër të gjerë, ai mbron si nga rrezet UVA dhe ato UVB. Rrezet UVB janë përgjegjëse për djegien nga dielli dhe kancerin e lëkurës, ndërsa ato UVA shkaktojnë plakje të parakohshme të lëkurës (fotoplakje). Kështu që, , sipas American Cancer Society, duhet të keni parasysh se nëse një produkt nuk është me spektër të gjerë mbrojtës, ai ju mbron vetëm nga djegia nga dielli dhe jo ndaj kancerit të lëkurës dhe fotoplakjes.

Kriteri tjetër tregues i mbrojtjes së mirë është SPF e lartë, mbi 30. SPF është standart i miratuar nga FDA (food and drug administration) dhe tregon nivelin e mbrojtjes ndaj rrezeve UVB. Numri i lartë i SPF tregon mbrojtje më të madhe, por sipas American Academy of Dermatology (AAD) dhe American Cancer Society, me rritjen e këtij numri, diferenca e rritjes së mbrojtjes zvogëlohet. Kështu një krem me SPF 15 ose më pak, e përkthyer në shifër, siguron një mbrojtje rreth 93% nga rrezatimi UVB dhe konsiderohet mbrojtës vetëm ndaj djegies nga dielli por jo nga fotoplakja dhe zhvillimi i kancerit të lëkurës. Nëse kremi ka SPF 30 mbron në masën 97% nga UVB, SPF 50 mbron në masën 98% dhe SPF 100 mbron në masën 99% nga rrezatimi UVB. Thënë këto shifra, ju duhet të keni parasysh që edhe nëse e aplikoni në mënyrën e duhur kremin mbrojtës, është e rëndësishme të shmangni ekspozimin në diell në oraret e pikut të rrezatimit ultraviolet, të përdorni veshje të posatshme dhe kapele si dhe të shmangni nxirjen në kabina solare.

Një tjetër term që lexojmë në kutinë e kremit të diellit është “water resistant” (kremi mbrojtës reziston në ujë). Sipas FDA, ky term tregon kohën maksimale që një krem është present në lëkurë n e lagur. Kjo kohëzgjatje për një krem “water resistant” është 40 minuta, dhe për një krem “very water resistant” është deri në 80 minuta. Ndaj për një mbrojtje maksimale nga rrezatimi UV, kërkohet riaplikim çdo 2 orë i kremit, riaplikim pas djersitjes, daljes nga uji dhe fshirjes me peshqir.

Pra, pavarësisht llojit të lëkurës ,këto janë 3 kriteret kryesore që një krem mbrojtës të ofrojë mbrojtje maksimale nga rrezatimi diellor: 1.spektër i gjerë veprimi, 2.SPF 30 ose më të lartë, 3.të jetë “water resistant”.

Pasi kremi juaj i plotëson këto kritere, ju duhet të zgjidhni në bazë të llojit të lëkurës.

Personat me lëkurë të yndyrshme ose akneike duhet të zgjedhin krem mbrojtës jo-komedogjenik (në anglisht “non-comedogenic”), gjë që do të thotë se kremi nuk i bllokon poret-njësia ku merr fillesë akne nga bllokimi i tyre prej grumbullimit të yndyrës, qelizave të vdekura dhe mbetjeve të produkteve që aplikohen në lëkurë si dhe e papastërtive ambientale.

Nëse keni lëkurë të ndjeshme duhet të zgjidhni një krem për këtë lloj lëkure dhe zakonisht në kremra të tillë gjen shënimin mineral sunscreen, sensitive skin ose krem që përmban vetëm filtra fizikë dhe jo filtra kimikë. Shënimi “sensitive skin” do të thotë se kremi përmban vetëm filtra fizikë, nuk përmban fragrance, paraben ose përbërës aktivë që gjenden në kremin me filter kimik dhe është hipoalergjik.

Filtri fizik ose kimik tregon mekanizmin sesi kremi realizon mbrojtjen ndaj rrezeve UV.

Filtrat fizikë realizojnë përthyerje të rrezes së dritës në sipërfaqe të lëkurës (pra mos depërtim të tyre në lëkurë). Kjo sepse pas aplikimit të kremit, filtrat qëndrojnë në sipërfaqegjë të lëkurës duke formuar barrierë mbrojtëse fizike dhe largimin e rrezeve UV. Këto filtra duke mos depërtuar në lëkurë, nuk shkaktojnë irritim të saj dhe as djegie të syve. Një krem mbrojtës me filtra vetëm fizikë shpesh mund ta gjeni me shënimin “baby” pasi për fëmijët e vegjël por mbi 6 muajsh këshillohet përdorimi i kremit mbrojtës vetëm me filtra fizikë sepse është më pak irritues për lëkurën delikate të tyre. Në përmbajtje, një krem me filtra fizikë përmban oksid zinku (zinc oxide) dhe dioksid titanium (titanium dioxide). Vetëm se duhet të keni parasysh që një krem i tillë hapet pak më vështirë në lëkurë duke e lënë të bardhë atë.

Ndërsa kremrat me filtra kimikë (avobenzene, oxybenzone) përthithin dhe asgjësojnë rrezet UV në lëkurë, përhapen dhe përthithen më lehtë në lëkurë pa e lënë të bardhë atë. Por mund të jenë më irritues për të, dhe të shkaktojnë djegie të syve kur aplikohet në fytyrë. Nëse ju keni një lëkurë normale e që nuk irritohet, mund të zgjidhni krem mbrojtës me filtra kimikë ose për mbrojtje maksimale të kombinuar me filtra kimikë dhe fizikë.

Një faktor i rëndësishëm për mbrojtje maksimale është jo vetëm zgjedhja e kremit fotombrojtës por edhe sasia e aplikimit. Sipas FDA në një centimetër katror të lëkurës duhet aplikuar 2mg krem, që e përllogaritur për fytyrën dhe qafën duhet një sasi sa gjysmë luge çaji, ndërsa për gjithë trupin nevojitet rreth 28 ml. Thënë kjo, nëse përdorni make up (fondatintë) me SPF të lartë kini parasysh që nuk jeni maksimalisht të mbrojtur nga rrezatimi diellor pasi make up-i nuk aplikohet në sasinë që do të duhej kremi i diellit. Ndaj në rast se kërkoni edhe mbulim të ngjyrës së lëkurës, ose zgjidhni krem mbrojtës me paramettrat e duhur dhe me ngjyrë (tinted), ose aplikoni produktin mbrojtës pa ngjyrë dhe me filtra kimikë dhe mbi të aplikoni fondatintën.

Dr.Silvana Mishtaku

Mjeke Dermatologe-Venereologe

Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku