Ta thotë doktoreshë Silva

Të janë tharë duart nga larja e shpeshtë? Ja kremrat që të duhen

Të janë tharë duart nga larja e shpeshtë? Ja kremrat që

Duke qenë se këshilla kryesore nga OBSH dhe e të gjithë mjekëve në këtë periudhë, me qëllim kufizimin e transmetimit të COVID-19, është larja e shpeshtë e duarve, ankesa më e zakonshme e popullatës është acarimi i lëkurës së duarve. Kjo është më e theksuar në personat që vuajnë nga sëmundje kronike të lëkurës si ekzema , psoriasis etj. Por nëse në kushte normale, ne dermatologët do t’ju këshillonim të kufizonit larjen e duarve, sot nuk mund ta bëjmë. Larja e shpeshtë dhe në mënyrë të përshtatshme e duarve është sot një masë e domosdoshme dhe me një vlerë vitale për ngadalësimin dhe kufizimin e përhapjes të kësaj sëmundjeje infektive.

Larja e shpeshtë e duarve dhe përdorimi i dezinfektantëve than shtresën yndyrore, dëmton shtresën sipërfaqësore (keratinocitet) të lëkurës duke kompromentuar integritetin e barrierës kutane.

Gjithashtu, sapuni dhe dezinfektantët mund të shërbejnë si lëndë irrituese duke shkaktuar dermatit të duarve që manifestohet me lëkurë të thatë, të flashkët, me luspa te vogla të bardha, me zona të skuqura sidomos në hapësirat midis gishtave dhe artikulacionet e vogla të duarve (kycet dhe nyjet e gishtave) deri në shfaqjen e vezikulave dhe carjeve të vogla të shoqëruara me kruajtje dhe dhimbje.

Gjithsesi duke patur parasysh që kjo masë (larja e shpeshtë e duarve ) duhet të zbatohet me rigorozitet, sugjerohet aplikimi i herëpashershëm i kremit hidratues dhe emolientëve pas larjes me qëllim reduktimin e impaktit të ujit dhe sapunit mbi lëkurë.

Një krem hidratues për duart në listën e përbërësve (ingredients), përmban lëndë humektante (ujë-tërheqëse), zbutëse (emoliente) dhe okluzive (pengojnë eleminimin e ujit nga lëkura.

Në farmaci ju mund të gjeni kremra të tillë për duart si Avene cold cream hands, Rilastil aqua hand cream, Froika barrier cream, Atoderm hand cream, etj. Përvec këtyre në supermarket mund të gjeni krem zbutës për duart si Nivea hand cream, Eucerine etj.

Ajo cfarë tjetër do t’ju këshilloja, pavarësisht markës së kremit që do të zgjidhni dhe mundësisë për ta riaplikuar disa herë gjatë ditës, aplikojeni rregullisht në mbrëmje. Pasi të keni mbaruar gjithë aktivitetin tuaj dhe jeni gati të shtriheni, aplikoni kremin e duarve dhe për ta bërë depërtimin në lëkurë më intensiv dhe veprues gjatë gjithë natës, shoqërojeni me veshjen e dorezave prej pambuku. Në këtë mënyrë jeni të sigurt që gjithë sasia e kremit të aplikuar do të veprojë në lëkurë dhe jo të fshihet në rroba.

Dr.Silvana Mishtaku

Mjeke Dermatologe-Venereologe

Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku