Të vërtetat e thjeshta

Shtëpia e bebit po pastrohet

Shtëpia e bebit po pastrohet

Dua t’ju tregoj sot një të vërtetë të thjeshtë timen, që më ka rezultuar shumë efikase.

Që fare të vegjël, fëmijët e mi (edhe tuajt besoj) janë përballur me ardhjen e periodave tek mami i tyre... kanë dalluar pecetat higjenike kur bëjmë blerjet, lodhjen apo edhe nervat e mia më të ngarkuara se zakonisht.

Cfarë të bëjmë?

Ne nuk duhet të përpiqemi ta fshehim. Fëmijët janë aty e diçka ndjejnë që kur janë fare të vegjël. Ata do të kërkojnë të kuptojnë diçka e duke mos qenë ne vetë ato që jua shpjegojmë , do të nxisim krijimin e mosbesimit të fëmijës ndaj nesh apo edhe fantazimin prej tyre të diçkaje shumë problematike (mamit i del gjak, mami është sëmurë, mami mund të vdesë)

Ne nuk duhet t'i gënjejmë. Kështu veç së do të çonim në forcimin e mosbesimit, pasi herët a vonë ata do të mësojnë diku tjetër, nga dikush tjetër për këtë proces. Pikërisht këtu mund të lindë rreziku për keqinformim duke e kërkuar përgjigjen diku tjetër, në internet apo në biseda të papjekura me moshatarët e tyre.

Ndaj unë kam vendosur t’iu tregoj atyre këtë histori që kur ishin të vogla:
Në barkun e mamit ka një shtëpi për bebe, aty ku ke ndenjur edhe ti për 9 muaj.

Ashtu siç pastrojmë shtëpinë, edhe “shtëpia e bebes” duhet pastruar….ndaj mami është pak më e lodhur tani…i dhemb edhe barku se një fshesë që është aty brenda e goditi pak padashje😊

Ndaj përdoren pecetat higjenike, që të mblidhen aty të gjitha mbeturinat e pluhurat që ka zënë “shtëpia e bebes”

Ndaj mami po pi këtë ilaçin, që të pastrohet më mirë, si kur hedhim ilac në lavatriçe për të larë rrobat që bëre pis duke luajtur…

Këto për sa kohë ishin ende të vogla.

Me kohën që kalon, çdo sqarim të dhënë në fazën fillestare, e kam shoqëruar me informacione të sakta e të përshtatshme varësisht moshës së tyre… e si fillim i kemi dhënë një emër këtij procesi natyral. Perioda, menstruacione, zakone, të përmuajshmet.. si të doni…ama jo më “ato” (!)

Fëmijët kanë kuptuar ngadalë një proces fiziologjik kaq natyral të trupit të një gruaje, kanë mësuar se asgjë frikshme s’vjen prej tij e madje janë edukuar të kujdesen për veten e për dikë tjetër gjatë asaj periudhe të muajit.

E teksa rriten, ndjehen edhe falenderuese që e dinin këtë gjë që më përpara, e madje ndonjëherë me krenarinë e atij që di diçka më shumë, ia kanë treguar edhe shoqeve të tyre.

“-Mami, shtëpia e bebit pastrohet veç kur bëhet gati të presë një bebe të re?-më pati pyetur vajza ime e madhe, pasi lindi motra e saj.
-Jo zog, pastrohet rregullisht, si shtëpia jonë, jo vetëm kur presim miq😊”