Tech

Apple vitin që vjen do mund të kontrollohet vetëm me mendime

Apple vitin që vjen do mund të kontrollohet vetëm me mendime

Apple po bashkëpunon me startup-in neuroteknologjik Synchron për të sjellë një ndërfaqe tru-kompjuter (BCI) në pajisjet e saj, duke hapur një kapitull të ri në fushën e teknologjisë dhe aksesueshmërisë.

Teknologjia e quajtur Stentrode është një implant që vendoset në tru përmes venës jugulare, pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale të hapur. Ajo përbëhet nga 16 elektroda që kapin sinjalet nervore të trurit, duke i lejuar përdoruesit, veçanërisht ata me dëmtime të rënda motorike si pacientët me ALS – të kontrollojnë pajisje të Apple, si Vision Pro, vetëm me fuqinë e mendimit. Përdorimi është ende më i ngadaltë krahasuar me komandat klasike, por teknologjia premton lehtësi të jashtëzakonshme për njerëzit me kufizime fizike.

Që prej vitit 2019, 10 pacientë kanë marrë implantin në kuadër të provave të miratuara nga FDA në SHBA. Apple planifikon që kjo teknologji të funksionojë përmes sistemit të aksesueshmërisë Switch Control, si dhe synon të vendosë një standard të ri industrial të ngjashëm me atë që bëri në vitin 2014 me aparatet e dëgjimit “Made for iPhone”.

Ndryshe nga kompania Neuralink e Elon Musk, e cila përdor metoda më invazive me mbi 1,000 elektroda të vendosura direkt në tru për kontroll më të detajuar, qasja e Synchron është më e thjeshtë dhe më pak e rrezikshme, duke e bërë të përshtatshme për raste më të zakonshme dhe më pak komplekse.