
Komisioni Evropian ka gjobitur Google-in me 2.95 miliardë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës, duke favorizuar shërbimet e veta të reklamimit digjital. Përveç gjobës, KE-ja i ka urdhëruar kompanisë amerikane të ndalojë praktikat e “favorizimit të vetes” dhe të shmangë konfliktet e interesit në zinxhirin e furnizimit të reklamave online.
Kjo është hera e katërt që BE-ja vendos gjobë ndaj Google-it. Vendimi pritet të shkaktojë tensione me SHBA-në, ndërsa administrata amerikane ka kritikuar shpesh qasjen e BE-së ndaj gjigantëve të teknologjisë.
Sipas KE-së, Google ka “abuzuar me pushtetin e vet” në treg, duke dëmtuar konkurrentët dhe botuesit. Kompania ka 60 ditë kohë për të propozuar një plan zgjidhjeje, përndryshe rrezikon masa më të ashpra, përfshirë shitjen e një pjese të biznesit të saj të reklamimit digjital (Adtech).