Inteligjenca artificiale hyn në menaxhimin e parave, çfarë ofron funksioni i ri i ChatGPT

OpenAI ka prezantuar një funksion të ri në ChatGPT që synon t’i ndihmojë përdoruesit të menaxhojnë më mirë financat personale, duke u dhënë mundësinë të lidhin llogaritë e tyre bankare dhe financiare me platformën.
Sipas informacionit të publikuar, sistemi përdor teknologjinë e platformës Plaid për t’u integruar me më shumë se 12 mijë institucione financiare në botë. Përmes kësaj lidhjeje, ChatGPT mund të analizojë të dhëna që lidhen me shpenzimet mujore, kursimet, investimet dhe objektivat financiare të përdoruesve, me synimin për të ofruar sugjerime më të personalizuara.
Përdoruesit kanë mundësi të shohin në një panel të dedikuar informacion mbi pagesat, pasurinë neto dhe mënyrën si shpërndahen shpenzimet e tyre. Gjithashtu, inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në krijimin e buxheteve personale, planeve të kursimit apo analizave të investimeve.
OpenAI thekson se sistemi nuk kryen transaksione financiare dhe nuk ka akses në numrat e plotë të llogarive bankare të përdoruesve. Aktualisht, funksioni raportohet të jetë i disponueshëm fillimisht për abonentët Pro, ndërsa më vonë pritet të zgjerohet edhe për përdoruesit Plus.
Megjithatë, prezantimi i këtij opsioni ka sjellë edhe debate mbi sigurinë dhe privatësinë. Ekspertë të sigurisë kibernetike paralajmërojnë se lidhja e të dhënave bankare me sistemet e inteligjencës artificiale mund të krijojë rreziqe të reja, sidomos në një kohë kur teknologjia vazhdon të zhvillohet dhe mbrojtja e informacionit personal mbetet një sfidë e ndjeshme.