Investimet e para nga Silicon Valley në Shqipëri: moment historik për startup-et shqiptare

Një kapitull i ri po hapet për sipërmarrjen inovative në Shqipëri. Për herë të parë, investime direkte nga Silicon Valley po vijnë në startup-e shqiptare, duke shënuar një moment historik për të gjithë ekosistemin.
Kompania globale Plug and Play ka realizuar investimet e para në vend, duke mbështetur 6 startup-e shqiptare: Synaps, Insect Intel, Bliss, Infinitcode.ai, NEKOD dhe kidsday. Këto kompani janë pjesë e Batch 1 dhe kanë përfunduar një program intensiv 6-javor në Silicon Valley, ku kanë punuar ngushtë me mentorë dhe investitorë ndërkombëtarë.
Programi është mbështetur nga Albanian-American Development Foundation (AADF), në bashkëpunim me partnerë kyç si IN Groupe, Piramida e Tiranës, Bashkia Tiranë dhe Innovation Hub. Roli i AADF ka qenë thelbësor në krijimin e urave lidhëse mes Shqipërisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ky zhvillim nuk është thjesht një injektim kapitali. Është një vlerësim i fortë ndërkombëtar për themeluesit shqiptarë dhe një sinjal i qartë se idetë që lindin në Shqipëri mund të konkurrojnë në tregun global. Nga një ekosistem që deri dje fliste për potencial, tashmë po kalon në investime konkrete dhe rritje reale.
Përmes këtij programi, startup-et shqiptare kanë fituar akses në rrjete globale investitorësh, kanë vlerësuar produktet e tyre dhe kanë përshpejtuar ndjeshëm strategjitë e rritjes. Rezultatet kanë nisur të duken që tani.
“Përmes programit dhe investimit të Plug and Play arritëm të validojmë dhe të lançojmë me sukses versionin beta të produktit… sot kemi mbi 50 mijë përdorues dhe jemi ndër startup-et me rritjen më të shpejtë në fushën e arkitekturës”, shprehet Brendon Ahmeti nga Synaps.
Edhe për Insect Intel, ky investim ka qenë një pikë kthese. “Nuk ishte thjesht një lëvizje financiare, por një konfirmim se teknologjia shqiptare ka çfarë duhet në arenën globale”, thotë Endri Dhaskali.
Ndërsa për Bliss, ndikimi ka qenë i menjëhershëm në zgjerimin e rrjetit ndërkombëtar. “Aksesi te investitorët globalë dhe partnerët strategjikë u përshpejtua ndjeshëm”, thekson Jona Doda.
Në të njëjtën linjë, edhe themeluesit e Infinitcode.ai, NEKOD dhe kidsday e shohin këtë si një hap vendimtar për të kaluar në një nivel tjetër zhvillimi dhe për t’u shtrirë në tregje të reja.
Vetë drejtuesit e Plug and Play e konsiderojnë këtë si fillimin e një angazhimi afatgjatë në Shqipëri.
“Investimet e para shënojnë fillimin e një përkushtimi të gjatë në rajon. Shqipëria ka potencialin për t’u kthyer në një hub të rëndësishëm inovacioni në Evropën Juglindore”, thekson Seena Amidi, Managing Partner për EMEA.
Sipas Uranik Begu, ky është një ndryshim i qartë për ekosistemin shqiptar: “Nuk po flasim më për potencial, por për mbështetje reale për kompani që ndërtojnë produkte konkurruese globalisht”.
"Këto investime janë një tregues i qartë se ndërtimi i ekosistemit po hyn në një fazë më të pjekur. Përmes partneritetit me Plug and Play dhe mbështetjes së AADF, kemi synuar të krijojmë ura konkrete mes startup-eve shqiptare dhe rrjeteve globale të inovacionit. Investimet direkte në kompani shqiptare sot dëshmojnë një kalim të dukshëm: nga mbështetja e potencialit, tek krijimi i mundësive reale për rritje dhe depërtim në tregje të reja." - shprehet edhe Sokol Ymeri, Drejtues Programesh në AADF.
Ndërkohë, zhvillimi nuk ndalet këtu. Batch 2 është tashmë në proces dhe Plug and Play po vijon të kërkojë mundësi të reja investimi në Shqipëri.
Ky moment shënon diçka më të madhe se disa marrëveshje financiare. Është prova që Shqipëria po hyn në hartën globale të inovacionit dhe lajmi më i mirë qëndron në faktin se ky është vetëm fillimi.