Krijo robotin tënd! Universiteti Metropolitan lançon edicionin e dytë të Robotech

Të apasionuarit pas kodimit dhe robotikës, tashmë do të kenë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre në konkursin “Robotech”, organizuar për të dytin edicion nga Universiteti Metropolitan Tirana, me shtirje edhe në qarqe të tjera veç kryeqytetit.
Dr. Elton Domnori, pedagog në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike&IT në UMT sqaron se “Robotech ka për qëllim të njohë të rinjtë shqiptarë me teknologjinë. Ky është edicioni i dytë. Vitin e kaluar ishim të fokusuar vetëm në Tiranë, ndërsa këtë vit kemi arritur të shtrihemi në disa qytete të tjera duke mundësuar pjesëmarrjen e 25 grupeve. Fillimisht ishin 50 grupe që aplikuan, por krijuam një listë më të shkurtër me 25 pjesëmarrës. Secili prej grupeve do të ndërtojë një robot i cili do të kryejë një detyrë të caktuar që ka përcaktuar grupi”.
Në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, Agjencinë Kombëtare të Rinisë dhe Metroresearch, Universiteti Metrpolitan Tirana prezantoi Robotech, një nismë që synon të aftësojë dhe inspirojë sipërmarrësit e ardhshëm në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.
Ceremonia e hapjes mblodhi së bashku aktorë të rëndësishëm nga fusha e inovacionit, arsimit, media dhe institucioneve publike si Drejtoresha e COD, Jetona Koçibelli, Drejtuesi i AKR, Geron Ibrahim, Drejtori i Agjencisë Startup Albania, Arjan Ymeri, Presidenti i UMT Ing. Arjan Çukaj, Rektori i UMT Prof. Dr. Nikolla Civici dhe qindra dhjetëra gjimnazistë.

“Përmes mbështetjeve të tilla, COD synon të fuqizojë të rinjtëpër të qenë liderë në fushën e teknologjisë, duke krijuar mundësi për zhvillim të qëndrueshëm në nivel kombëtar dhe global. Shpresoj qe secili prej jush të ketë kohën e duhur, mjetet, fantazinë që të shprehë talentin”, u shpreh drejtoresha e COD, Jetona Koçibelli.
Presidenti i UMT, Ing. Arjan Çukaj tha se kompeticione të tilla janë në vizionin e universitetit, duke sjellë çdo vit risi. “Vetë universiteti është formatuar mbi shkencat ekzakte, inxhinierike, mbi shkencat e softuerike dhe kompjuterike. Shohim shumë prej gjimnazistëve që kanë prirje, por nuk e kuptojnë sa të aftë që janë kur provojnë veten në këtë fushë,siç është robotika”, u shpreh Çukaj.
RoboTech premton një edicion sfidues, plot mundësi për të rinjtë që duan të eksplorojnë botën e teknologjisë dhe inovacionit. Aplikimet për edicionin e këtij viti të konkursit RoboTech janë mbyllur me një pjesëmarrje rekord. Grupi i profesorëve të Universitetit Metropolitan Tirana po bën përzgjedhjet finale për ekipet pjesëmarrëse, të cilat do të lancohen në ditët në vijim.
Vetë studentët që ndoqen edicionin e parë të Robotech, u shprehën të lumtur për këtë mundësi unike, duke ua sugjeruar edhe bashkëmoshatarëve të tyre.
Universiteti Metropolitan Tirana i fokusuar në shkencat kompjuterike, në inteligjencë artificiale, arkitekture, inxhinieri dhe ekonomi sjell për studentët 25 programe studimi të ciklit bachelor dhe master, ndërsa është i vetmi universitet shqiptar që ka krijuar shkollën e doktoraturës në Inteligjencë Artificiale.