Qeveria financon me 10 milionë dollarë start up-in e Mira Muratit

Qeveria shqiptare ka miratuar një ndryshim të buxhetit të vitit 2025 përmes një akti normativ, duke akorduar 10 milionë dollarë për t'i financuar në startup-in e ri të Mira Muratit, “Thinking Machines Lab”, i cili operon në fushën e inteligjencës artificiale.
Vendimi është marrë 10 ditë para zgjedhjeve, dhe për këtë qëllim Ministria e Financave i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë një opinion në përputhje me Kodit Zgjedhor, i cili ndalon miratimin e vendimeve me ndikim financiar gjatë katër muajve të fundit përpara ditës së votimit. Kjo periudhë nisi më 11 janar dhe përfundon në 11 maj.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, projekti i drejtuar nga Murati konsiderohet si një nga më inovativët në rang global në fushën e teknologjisë, me ndikim të pritshëm pozitiv për ekonominë, imazhin dhe pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë në fushën e inteligjencës artificiale.
Fondet për këtë financim do të sigurohen nga të ardhurat e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Kryeministri Edi Rama kishte njoftuar për herë të parë këtë angazhim më 15 prill, gjatë një vizite në një kompani, ku theksoi se është koha që shteti të marrë pjesë në projekte të rëndësishme inovative, për të kontribuar në zhvillim dhe për të përfituar nga sukseset e tyre.