TIP Cooking

TIP Cooking, blogu i ri në Tiranapost. Chef-at më të mirë sjellin me video tavolinën e tyre të festave

TIP Cooking, blogu i ri në Tiranapost. Chef-at më të mirë

Meqë po futemi në javët e festave, Tiranapost ka telefonuar shefat më të mirë të kuzhinës. Ata do të dërgojnë secili tavolinën e festës. Receta simpatike dhe të reja për përgatitjen e gjelit. Secili e marinon në mënyrën e tij. Secili me sekretet e tij. Tavolina e festave në TIP do të sjellë gjatë këtyre javëve disa versione të drekave dhe darkave që ju do të shtroni me të dashurit tuaj. Videot do të jenë më përbërësit dhe me të gjitha të dhënat që në përgatitje e deri tek pjekja, por sidomos edhe servirja.

Videot e plota do t`i gjeni në kanalin tonë në YouTube, ndërsa do t`i njoftojmë në Facebook dhe Instagram.

Për pak supersticion, apo edhe nostalgji të parën që telefonuam ishte një bashkëpunëtore që në ditët e para të TIP.

Ajo është një blogere që nuk e ka zbuluar kurrë pamjen e saj, por nuk është kursyer asnjëherë të zbulojë recetat dhe t`i ndajë ato edhe me lexuesin e Tiranapost. E nisëm me Uarda Shahinin, ose siç e njohin të gjithë me emrin e blogut të saj AddasAll. Uarda është një shqiptare që jeton prej vitesh në Itali. Prej pak ditësh është zhvendosur nga qyteza ku jetonte dhe nga ballkoni simpatik të cilin e ka bërë shumë të famshëm me mëngjeset, drekat, por edhe darkat e verës. Edhe pse shumë e zënë me zhvendosjen, Uarda e solli e para recetën e gjelit të saj në kategorinë e re TIP Cooking.

Receta:

Gjeli i festave

Për 4 persona

1 gjel fshati rreth 1 kg e gjysmë

100 gr gjalp në temperaturë ambienti

1 lugë mustardë

1 lugë e vogël piper rozë

1 lugë e vogël pluhur hudhre

1 lugë e vogël erëza provence

2 lugë të vogla kripë

Për mbushjen:

1 limon

2 mandarina

Gjysmë qepe e ëmbël

1 hudhër e plotë e ndarë në mes

Degë sherebele

Degë rozmarinë

Pjesa tjetër:

1 gotë verë e bardhë

2 gota ujë

Përgatitja

Gjalpin përzijeni me mustardën, piperin rozë, pluhurin e hudhrës, erëzat e provences dhe kripën. Përzijeni derisa të bëni një masë uniforme.

Me gjalpin e aromantizuar do të masazhoni të gjithë gjelin dhe në brendësi të gjoksit, ku poshtë lëkurës do fusni dhe disa gjethe sherebel.

Zgavrën e tij do e mbushni me agrumet dhe erëzat e tjera me radhë. Mbulojeni dhe lëreni të marinohet të paktën 4 orë. Në momentin e pjekjes mishi duhet të jetë në temperaturë ambienti ndaj nxirreni më parë nga frigoriferi ku e keni lënë të marinohet.

Shtoni në brendësi të tavës ujin dhe verën dhe vijoni me pjekjen në furrën e ngrohur më parë në 160•C për afërsisht 1 orë e 30 minuta. Tavën mund dhe ta mbuloni gjatë pjekjes me letër alumini për ta hequr vetëm në fund që t`i lejoni sipërfaqes të theket mirë.

Unë preferova që te e njëjta tavë ku mbetën dhe lëngjet e pjekjes së gjelit të shtoja dhe disa patate të prera në thelpinj dhe kërpudha shampinjon.

Dekorojeni në mënyrë festive me fruta dhe erëza të freskëta për t`i dhënë një pamje protagoniste pjatancës.