
Në këtë episod kam biseduar me Armina Mevlanin. E ftova për të folur për Arminën — përtej imazhit publik që njohim prej vitesh.
Doja ta kuptoja më nga afër se në ç’fazë është ajo sot: mes famës, një familjeje të njohur në politikë, botës së biznesit, ndikimit në rrjete sociale… dhe, siç ia thashë edhe në fillim të podcast-it, për të ndarë bashkë “peshat e padukshme” të një jete publike.
Nxitja për këtë episod më erdhi disa javë më parë, kur pashë sesi rrjeti “mori flakë” për një çështje fare njerëzore — disa kilogramë më shumë. Reagime turlilloj, të ashpra, si për të kujtuar se çdo luhatje e trupit të një gruaje publike është automatikisht çështje publike.
Armina nuk është njeri i zorshëm as në komunikim, as në bisedat para kamerës. Ajo ndoshta e di që sinqeriteti është arma e saj më e fortë dhe e përdor atë.
Folëm për anën tjetër të medaljes së një jete që duket plot shkëlqim nga jashtë, por që — siç thotë vetë Armina — “kur rritesh, asgjë nuk është fushë me lule siç duket kur je 20 vjeç”.
Foli hapur për dhimbjet e saj, por po aq hapur për vetëdijen që është një njeri me fat. Kur e pyeta se cili është njeriu më i rëndësishëm në jetën e saj, mora një përgjigje që më pëlqeu veçanërisht.
Për mua ky është një episod i sinqertë. Të tjerat… gjykojini vetë.
*Ky podcast i "Zë me Mirën" u mbështet nga Vodafone, Lajthiza, Metropolitan, Credins Bank, TUMO
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore