Episodi i ZëmeMirënPodcast me Era Anagnostin

Sezoni 6 nisi me Erën e Anagnostëve! Kam dashur gjithmonë të intervistoja gjeniun e kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnostin. Por kur unë u rrita profesionalisht, ishte vonë.
Në fillim të kësaj Vjeshte Anagnosti “vendosi të ikë” përgjithmonë në Vuno, për t`u prehur në paqe. Në fotot e homazheve pashë të bijën, Erën dhe mendova… po sikur?????
Kështu vendosa t’i shkruaj një email Erës, të cilën – mos më pyesni pse – e kisha fiksuar në kujtesë që 12 vjeçare. Më kujtohej si personazh i veçantë: edhe pse studente në Drejtësi, kërcente dhe aspironte të hynte në botën e artit, por pa u mbështetur tek mbiemri i të atit.
Shumë shpejt, në vitin 1995, Era u largua në Amerikë, për t’u kthyer në Shqipëri vetëm për vizitë tek prindërit. Era si përfundim më takoi, më tha një “gjysmë po”, dhe në fund erdhi në podcast – pavarësisht tensionit të ditëve me numërim në Tiranë. Më pas biseda rrodhi aq natyrshëm, me aq shumë nostalgji dhe kujtime, për prindërit e saj, por folëm edhe për jetën e saj në Amerikë, që është nga ato historitë e suksesit prej vërteti… ja kështu një email e bëri këtë nisje sezoni, të denjë.
*Ky podcast i "Zë me Mirën" u mbështet nga Vodafone, Lajthiza, Metropolitan, Credins Bank, TUMO
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore