
Nuk më ndodh shpesh të bisedoj në podcast me njerëz që i kam pjesë të jetës time. Njerëz që i njoh në ditë të mira dhe të këqija. Po pikërisht për këtë rastësi jetësore, biseda me Majlinda Bregun erdhi si një episod i plotë.
Majlindën si njeri publik e njihni dhe secili e ka një opinion të vetin, por në këtë podcast ajo vjen shumë nga afër, si njeri.
Siç kur u bëjmë "zoom" atyre fotove në telefon. Kështu do të keni mundësi ta dëgjoni atë kur flet për veten, për Zotin, për familjen, Kejdën, Enesin, Nikon, nënën, babain, gjyshet, shoqet, gratë, edhe (ar)miqtë politik.
Është një episod me një grua që tek të 50-tat di se çfarë bën me jetën e saj dhe sidomos di çfarë nuk bën.
Ajo ka maturinë e reflektimit dhe një rrëfim pa absolutizma.
Pa frikën se dikush mund të mos jetë dakord me të. Pa u përpjekur që të gjithë të jenë dakord me të. Në fakt për diçka kishim rënë dakord, që nuk do të flisnim paraprakisht për pyetjet që unë do të bëja. Ajo më besoi dhe pjesën tjetër e gjeni në episodin që e quajta “'Amor fati' i Majlindës”.
Shprehjes latine që ajo i beson dhe që do të thotë se duhet ta duam fatin që na bie për pjesë në jetë.
*Ky podcast i "Zë me Mirën" u mbështet nga Vodafone, Metropolitan, Credins (Smile), Eurosig, UBA, TUMO, Lajthiza
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore