Episodi i ZëmeMirënPodcast me mjeken Aurora Dollenberg

Aurora Dollenberg është një mjeke shqiptare në Gjermani.
Është një nga episodet ku kam qeshur me shpirt, por edhe kam reflektuar për forcën e grave.
Ajo është larguar nga Shqipëria 25 vjeç. Me porosinë e babait në kokë që mos ta kthente kokën pas.
Një vajzë e re, që u gjet në qytetin e Hanoverit, krejt e vetme, në vitin 2010, por e vetmja që nuk u kthye nga grupi me 20 kandidatë për të qëndruar si mjekë të rinj në Gjermani. Mund të ketë qenë ky edhe grupi i parë, por një gjë është e sigurt, që ka qenë vala e parë kur mjekë e infermierë shqiptarë nisën të shohin nga Gjermania.
Kjo mjeke shqiptare e sjell Gjermaninë lakuriq në këtë episod. Me të mirat, por edhe me të këqijat. Me racizmin, por edhe me dashurinë.
Ajo tani ka atje klinikën e saj private dhe ka një jetë të mirë. Është e fokusuar kryesisht në çështje të psikoterapisë dhe trajton pacientë me ankth dhe në depresion. Ka vendosur para disa vitesh ta lërë spitalin dhe arrogancat e vogla të stafeve vendase. Ndoshta edhe sepse e kishte mundësinë.
Ajo që më bëri përshtypje tek ky episod ishte diçka se edhe pse dikush e gjen dashurinë, familjen, jeton në pasuri dhe harmoni, ka një magnet tek vendi yt. Të paktën Aurora e tha sinqerisht, se po të ishte për të do kthehej të jetonte në Shqipëri. Se kur vinte këtu ndjehej më e bukur, më e lumtur etj etj
*Ky podcast i "Zë me Mirën" u mbështet nga Vodafone, Lajthiza, Metropolitan, Credins Bank, TUMO, Globus Travel
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore