Videopodcast

Na duhet një ekskursion!

Na duhet një ekskursion!

Bashkë me vitin shkollor, nisi edhe ideja e një ekskursioni me klasën në një shkollë 9-vjeçare.

Por ende nuk është bërë. Një herë ishin virozat, pastaj shiu, më vonë mësueset nuk mundën... dhe një klasë me 10, 12, 15 vjeçarë pret, ëndërron, mërzitet, zhgënjehet.

Që në shtatorin e kaluar, këta fëmijë kanë nxjerrë materiale nga interneti, i kanë printuar, ngjitur nëpër fletë, i kanë mësuar përmendësh: histori, gjeografi, letërsi, figura të njohura të vendit tonë. Por kjo punë përfundon, në rastin më të mirë, në ndonjë sirtar shkolle — në rastin më të keq, në ndonjë kosh te dera e oborrit.

Nuk dua të flas sot për rëndësinë e socializimit që sjellin aktivitetet jashtëshkollore.

Por është emergjente: curricula shkollore duhet të pasurohet me veprimtari të tilla.

Nuk mund t’u kërkojmë fëmijëve të mësojnë përmendësh poezi patriotike, t’i vëmë në garë për recitim — shpesh në mënyrë patetike e të dalë mode — dhe të mendojmë se kjo mjafton për t’i edukuar me ndjenjën atdhetare.

Deri atë ditë, kjo mbetet detyra jonë: e prindërve.

Vetëm dje UNESCO shpalli Arkivën Marubi si pjesë të trashëgimisë botërore. Sa prej nesh i kanë çuar fëmijët në këtë muze?

A e kemi vizituar ndonjëherë muzeun e Gjon Millit në Korçë, atë të Pavarësisë në Vlorë, 'Musine Kokalari" në Gjirokastër, Onufrin në Berat, apo Muzeun Etnografik në Krujë?

Çdo të dielë të fundit të muajit, hyrja në muzetë dhe sitet arkeologjike është falas. Ndaj edhe argumenti i biletës së shtrenjtë bie.

Nuk mund t’i rrisim fëmijët pa ndjenjën e përkatësisë ndaj kulturës, historisë, trashëgimisë sonë.

Thotë Big Basta në këngën e fundit: “E kur vihet ‘Mora fjalë’, ne e duam vendin tonë.” Po kjo nuk mjafton. Mirë është ta vizitojmë edhe shtëpinë legjendare të Jasharëve.