YouPost

Kujdes nga informacionet jo profesionale! Dhjetë këshilla nga dermatologia!

Kujdes nga informacionet jo profesionale! Dhjetë këshilla nga

Dr. Sidita Vitoja Sopjani

Në këtë situatë karantine/vetizolimi njerëzit kur mërziten, fillojnë të studiojnë dhe madje obsesionohen me lëkurën e tyre duke përfunduar në situata të padëshirueshme.

Kujdesi ndaj lëkurës shërben si një lloj mekanizmi mbrojtës për mendjen tonë në periudha të stresit të shtuar. Zgjidhja e problemeve të lëkurës na bën të besojmë që e kemi situatën nën kontroll dhe na bën të ndihemi më mirë.

Mos u bëni pre e informacioneve pa bazë profesionale. Lexoni dhjetë këshilla nga dermatologia!

1.      Mjaft analizuat vetë lëkurën tuaj, kërkoni këshilla nga dermatologu!

Teledermatologjia: Në shumë raste dermatologu mund të vlerësojë problemin tuaj përmes një thirrjeje me video (Zoom, WhatsApp etj) apo përmes fotove cilësore që mund t’i dërgoni. Kështu që, nëse jeni të shqetësuar për irritim apo alergji të lëkurës, akne, nishane të dyshimta etj përpiquni të kontaktoni dermatologun përmes platformave dixhitale. Ndihmoni prindërit apo gjyshërit tuaj në përdorimin e teknologjisë për të realizuar këto konsulta virtuale, pasi ata janë edhe pjesa më e rrezikuar e popullatës ndaj Covid-19. Në këtë mënyrë ju i mbani të moshuarit larg spitalit dhe rrezikut per infektim me corona virus dhe njëkohësisht i zgjidhni problemet e tyre dermatologjike.

2.      Seleksiononi produktet që përdorni për lëkurën tuaj

Nëse keni produkte që e keni hapur paketimin e tyre para shumë kohësh, që kanë kaluar afatin e përdorimit apo nuk i keni ruajtur në kushte të përshtatshme, hidhini menjëherë në koshin e mbeturinave. Produktet e vjetra mund të dekompozohen dhe bëhen vatër infeksionesh dhe arsye për irritim të lëkurës.  

3.      Konsiderojini ditët e karantinës/vetizolimit si ditë pushimi për lëkurën tuaj

Ndotja e ajrit, make up-i i vazhdueshëm dhe i rëndë e lodhin dhe e plakin lëkurën tuaj. Qoftë edhe vetëm shmangia e make up-it për disa javë mund të bëjë një ndryshim të madh në shëndetin e lëkurës tuaj. Gjithashtu shmangia e krehjes dhe stilimit të flokëve me përdorim të nxehtësisë se shtuar lejon flokët tuaj të rigjenerohen. Pamundësia për lyerjen e thonjëve me metoda profesionale do te bëjë që thonjtë tuaj të marrin frymë lirisht. Edhe pas karantinës (nëse duhet patjetër) ju preferoj të përdorni llak O2 breathable që përmban edhe SPF, sepse kanceri mund të shfaqet edhe në thonj.

4.      Ruani rutinën e mirëmbajtjes së lëkurës

Shmangni make up-in, por ruani rutinën e mirëmbajtjes së lëkurës tuaj.

Përdorni krem me SPF (sun protection factor), krem mbrojtës kundër diellit, edhe pse jeni në shtëpi, sepse rrezet UVA, madje edhe ato UVB depërtojnë përmes xhamit të dritareve dhe bëjnë të njejtin efekt sikur të ishit jashtë (sidomos nëse tavolina juaj e punës është afër dritares), dmth e plakin dhe e dëmtojnë lëkurën tuaj. Rekomandohet SPF 30, me spektrum UVA+UVB dhe me bazë mineralesh. Aplikojeni atë çdo ditë.

5.      Koha ideale për korrigjim

Kjo kohë kur po shmangim daljet në publik për shkak të Covid-19 është koha ideale për të përdorur disa produkte dermatologjike për korrigjimin e problemeve të lëkurës tuaj, të cilat fillimisht ju bëjnë të dukeni keq përpara se të merrni rezultatin e dëshiruar. P.sh: Retinoli është një substancë që mund të shkaktojë skuqje, irritim, zhveshje të lëkurës, por i përdorur sipas rekomandimit të dermatologut, duke përfituar nga kjo periudhë e distancimit fizik, do t'ju mundësojë të korrni përfitime të mahnitshme pasi jeta të kthehet në normalitet.

6.      Lëkura e thatë

Tharja e lëkurës është ankesa më e shpeshtë gjatë kësaj periudhe pandemie për shkak të larjeve të shpeshta jo vetëm të duarve, por edhe të fytyrës. Për të shmangur këtë problem duhet të përdorim kremëra hidratues duke i aplikuar ato në drejtim të njëjtë me qimet e lëkurës, e jo në drejtim të kundërt të tyre. Është e rëndësishme që të përdorni hidratuesin kur lëkura juaj është ende e njomë. Nëse lëkura e duarve tuaja është shumë e thatë atëherë përdorni doreza prej pambuku pasi të keni aplikuar kremin dhe i mbani ato veshur gjatë natës, sepse kështu ia rrisni efektin hidratuesit.

Kur fshini duart pas larjes shmangni fërkimin e ashpër me peshqirë apo letra higjienike, ndërsa aparatet që përdorin ajrin për tharje nuk janë aspak të rekomandueshëm qoftë në aspektin e tharjes së lëkurës ashtu edhe në atë të përhapjes së infeksioneve.

Gjithashtu shmangia e veshjes së rrobave të ngushta dhe veshjes së këpucëve gjatë kësaj periudhe e lejon lëkurën tuaj të marrë frymë lirshëm, duke shmangur fërkimin dhe rrjedhimisht tharjen e saj. Parti me pizhama!

7.      Mos e ekzagjeroni me hidratuesin

Zgjidhni hidratuesin e përshtatshëm për tipin e lëkurës tuaj. Shfrytëzimi i tepërt i produkteve hidratuese mund ta bëjë lëkurën tuaj shumë të yndyrshme dhe të shkaktojë puçrra. Maskat hidratuese nuk janë zgjedhja ideale, përdorimi i tyre më shpesh sesa një herë në javë mund ta irritojë lëkurën tuaj, dhe në fakt ato kanë më shumë efekt relaksues sesa terapeutik.

Zgjedhni produkte me përmbajtje acidi hyaluronic pasi ai promovon hidratimin e lëkurës tuaj, si dhe konsumoni mjaft ujë gjatë ditës.

8.      Duart lart!

Mbani larg duart nga fytyra juaj edhe pse është e vështirë sa më gjatë që rrijmë mbyllur dhe sa më shumë që shtohet stresi. Nuk besoj që dëshironi të takoni të dashurit tuaj pas një kohe aq të gjatë me akne të përkeqësuar e shenja të shëmtuara në fytyrë.

9.      Kujdes me ekranet!

Paisjet elektronike emetojnë dritë blu, të njohur gjithashtu si HEV=high energy visible light. Studimet tregojnë se ky lloj i dritës ka efekte të dëmshme në lëkurë, duke nxitur plakjen e parakohshme dhe krijimin e njollave kafe. Po ashtu, kur përkulni kokën përpara drejt telefonit, tabletit apo kompjuterit tuaj, lëkura e qafës tuaj detyrohet të paloset duke çuar në krijimin e rrudhave të hershme.

10.  Gjumi

Populli ynë thotë se gjumi të zbukuron. Mundohuni të ruani rutinën e orarit tuaj të gjumit. (Na falni nëna, nuk e kam fjalën për ju, të gjithë e dijmë që ju nuk flini kurrë!)

Dr. Sidita Vitoja Sopjani

Dermato-venerologe, PhD(c)

Ligjëruese në Universitetin AAB